Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Ish-ministri Saimir Tahiri paraqitet në SPAK

Shkruar nga Newsbomb
Ish-ministri Saimir Tahiri paraqitet në SPAK
Saimir Tahiri (foto arkiv)

Ish-ministri i  Brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur mëngjesin e kësaj të premte në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Burime për mediat bëjnë me dije se ish-ministri do të merret në pyetje nga prokurorët e SPAK lidhur me dosjen për “21 Janarin”. Tahiri do të pyetet si person në dijeni.

Kujtojmë se SPAK ka rihapur hetimet për çështjen e “21 Janarit”, ku humbën jetën 4 protestues, Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Prokuroria e Posaçme njoftoi në korrik të këtij viti se ka regjistruar zyrtarisht procedim penal për vrasjen e protestuesit Aleks Nika më 21 Janar 2011, shkruan nwsbomb.al. Të plagosur mbetën dhe shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko e Ilia Papa.

Hetimi ka për qëllim të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Vendimi i Gjykatës së Lartë thekson detyrimin e SPAK për të hetuar përgjegjësitë e Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ndrea Prendit dhe të tjerëve lidhur me vrasjen e katër personave të pafajshëm në bulevard, ngjarje për të cilën deri më tani nuk është verifikuar roli i drejtuesve shtetërorë.

Janë tre vepra të rënda penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal, pasi dyshohet se ato mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.

- “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal.

- “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal;

- “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal.

 

 

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese