
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zhvilluar këtë të hënë seanca gjyqësore ndaj deputetit demokrat Gazment Bardhit, i cili është paditur për “shpifje” nga ish-kryepolici i Shkodrës, Edmond Sulaj.
Gjatë kësaj seance Bardhi kishte vendosur të mos paraqitej vetë, por të përfaqësohej nga dy avokatët e tij, Marash Logu dhe Ledio Braho.
Ndërkohë, ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, së bashku me avokatët e tij ishin të pranishëm në këtë seancë. Mbrojtja e Sulajt paraqiti argumentat e saj, duke theksuar se më 12 shtator 2024, gjatë një interpelance në Kuvend, deputeti demokrat Gazmend Bardhi, bazuar në disa materiale të referuara nga SPAK, kishte deklaruar se Edmond Sulaj ishte një person i emëruar nga grupet e strukturuara kriminale dhe i shërbente këtyre grupeve.
Në lidhje me akuzat e deputetit demokrat, avokatët e ish-kryepolicit të Shkodrës theksuan se bisedat dhe materialet që Bardhi përmend i përkasin periudhës 2019-2020, tre vite para se klienti i tyre të emërohej në detyrën e tij.
“Deklarata e bërë nga Bardhi është transmetuar botërisht dhe është shpërndarë gjerësisht në media të shkruara dhe vizive, duke përhapur një informacion të pavërtetë, të cilin ne e mbështesim në prova. Akuzat kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe karrierën e Edmond Sulës, i cili ka një përvojë 28-vjeçare në funksione të ndryshme të policisë,” deklaroi përfaqësuesi ligjor i Sulajt.
Ndërkohë, vetë ish-kryepolici i Shkodrës ka deklaruar se pas akuzave të bëra nga deputeti demokrat, si ai po ashtu dhe familjarët e tij janë përballur me ofendime dhe sulme në rrjetet sociale dhe ambientet ku punojnë dhe studiojnë.
Ndër të tjera ai u shpreh besimplotë te drejtësia duke thënë se shumë shpejt do të dalë se kush është “Mondi” i vërtetë.
“Duke qenë se çështja për të cilën i është referuar Gazmend Bardhi është në shqyrtim, dua të saktësoj që unë jam pyetur në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me këto fakte. Shumë shpejt do të dalë se kush është ‘Mondi i vërtetë’ që përmendet në ato komunikime.
Unë e kam deklaruar edhe në seancën e parë dhe e përsëris: emërimi im është bërë me urdhër të drejtorit të përgjithshëm. Jam krenar për çfarë kam bërë me stafin që ishte atje. Rezultatet e arritura në 1 vit e 1 muaj sa qëndrova në Shkodër janë të qarta dhe flasin vetë,” theksoi ai.
Ndërkohë, nga ana tjetër mbrojtësit e Gazment Bardhit, kanë bërë publike disa detaje nga dosja e përgjimeve të “Sky Ecc”, që Bardhi përmendi në Parlament.
Avokati, Marash Logu tha se klienti i tyre i është përmbajtur me përpikmëri detajeve të publikuara nga vetë SPAK dhe në asnjë moment nuk ka deklaruar se Edmond Sulaj ka marrëdhënie apo njohje personale me personan nën hetim, por ka theksuar se krimi i organizuar është i lidhur me Policinë e Shtetit.
“Gjatë një komunikimi mes Pëllumb Gjoka dhe Ardit Hasanbegaj diskutohet për emrin e ministrit të Brendshëm Taulant Balla. Ky dhe Bledar Cuci përmendeshin si pasues të Sandër Lleshaj. “Mua mondi më duhet një dimër aty vlla”, flitet mes këtyre dy personave. Në kuadër të këtij procesi kemi sjellë edhe një provë që vjen nga mediat e shkruara sa i përket komunikimeve në Sky ECC. Pas dorëheqjes së Sandër Lleshaj, u emërua Bledar Cuci. Më pas mori detyrën Taulant Balla. Në 15 korrik 2023, emërimi i Taulant Ballës u pasua me emërimin e Edmond Sulës. Përputheshin, dhe mbi këtë bazë ngrihen dyshime se kishte ndikim nga biznesmeni Pëllumb Gjoka, mik i ministrit Taulant Balla, dhe nga Ardit Hasanbegaj.
Është e qartë që nuk kemi të bëjmë me një përpjekje të Gazmend Bardhit për dezinformim. Ashtu si zoti Bardhi dhe deputetët e tjerë kanë detyrën të ngrijnë zërin mbi shqetësimet apo denoncimet që u vijnë. Bardhi nuk ka deklaruar se Sula ka marrëdhënie apo njohje personale me personat nën hetim, por ka theksuar se krimi i organizuar është i lidhur me policinë e shtetit”, mësohet të ketë thënë gjatë seancës avokati Marash Logu.
Sakaq, kujtojmë se Newsbomb.al pas akuzave të bëra nga deputeti demokrat ndaj ish-kryepolicit të Shkodrës, evidentoi faktin se kohës që Bardhi i referohej, Edmond Sulaj nuk ishte në pozicionin e Drejtorit të Policisë së Shkodrës.
“Unë po të pyes: Si ta quajnë drejtori ne Policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky ECC, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën. Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla”, kështu u shpreh më 12 shtator të vitit të kaluar deputeti Bardhi në foltoren e Kuvendit.
Por, Edmond Sulaj u vu në krye të Policisë së Shkodrës më 11 tetor 2023.
Një rokadë e bërë pothuajse një vit më parë në Policinë e Shtetit, solli Sulajn në postin e Shefit të Policisë së Shkodrës dhe Ervin Hodajn në krye të Drejtorisë kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSH, post që e mbante Edmond Sulaj.
Emërimi i Sulajt erdhi dy vite pasi aplikacioni famëkeq “SKY ECC” ishte zbërthyer dhe mbi 16 mijë shqiptarë dolën përdorues të këtij rrjeti social. Kujtojmë se pas ndërhyrjes së FBI-së e cila ndihmoi në zbërthimin e “SKY ECC”, shumë kriminelë përfunduan pas hekurave dhe pas një operacioni të Europol aplikacioni u mbyll përfundimisht në vitin 2021.
Sakaq, theksojmë se Sulaj dy muaj pasi u vendos në krye të Policisë së Shkodrës kaloi me sukses edhe procesin e vettingut ku dhe mori konfirmimin për të vazhduar karrierën dhe detyrën e tij në Policinë e Shtetit.
Ai u vetua dhe doli i pastër nga kontrolli përmes mekanizmave të posaçme të pasurisë, figurës dhe profesionalizmit.