
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Pragë ku dhe kanë takuar zv.presidentin e Policisë çeke, Gjenaral Major Tomas Kubik, pasi Presidenti i Policisë, për shkak të një axhende emergjente, nuk ishte në Pragë.
Proda dhe Gjeneral Kubik ndanë vlerësime të njëjta për bashkëpunimin dhe u dakordësuan që ky bashkëpunim të thellohet akoma më shumë, jo vetëm në kuadër të shkëmbimit të informacioneve, mbështetjes logjistike për Policinë Rrugore apo për patrullime të përbashkëta gjatë sezonit veror, por dhe në fusha të tjera.
Gjatë fjalës së tij, Kubik i shprehu vlerësimet maksimale kryepolicit Proda duke theksuar se bashkëpunimi mes dy policive, asaj shqiptare dhe çeke është i ndërtuar mbi baza besimi dhe profesionalizmi.
“Bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy policive kriminale dhe atë në fushën e sigurisë, t’i shtrijmë në të gjitha fushat e tjera, në interes të luftës kundër krimit të organizuar, si dhe të rritjes së parametrave të sigurisë, pasi si në Çeki dhe në Shqipëri ka prani të shtuar të qytetarëve të të dy vendeve, si vizitorë, turistë, por dhe për qëllime biznesi. Me këtë lëvizje të shtuar, padiskutim që lëviz dhe elementi kriminal”, tha Kubin.
Nallbati dhe Kubik siguruan Drejtor Prodën se dy Policitë Kriminale do të bashkëveprojnë në koordinim dhe me agjencitë ligjzbatuese Interpol, Europol dhe të tjera, për të hetuar dhe goditur krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, terrorizmin dhe emigrimin e paligjshëm.
Ndërkohë, kryepolici theksoi se Policia Shtetit e ka të qartë rrugën e saj, rrugë e cila ka vetëm një drejtim, bashkëpunimin e ngushtë, profesional, të barabartë dhe të bazuar në besueshmëri, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin që është global dhe që kërkon patjetër bashkim forcash, vlerash dhe idesh.