Shefike Osja, 63-vjeç është gruaja e cila ndërmori aktin tragjik këtë të shtunë duke u vetëhedhur nga ura e vjetër e lumit Buna.
Blutë e Shkodrës bëjnë me dije se rreth orës 16:25, u njoftuan se një shtetase është hedhur në ujërat e lumit Buna. Menjëherë ata shkuan në vendin e ngjarjes dhe me një varkë u futën në lumë ku dhe nisën kërkimet.
Pas kërkimeve, efektivët gjetën trupin e pajetë të 63-vjeçares. Nga kqyrja paraprake e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhunë, ndërkohë dyshohet se kjo shtetase vuante kohët e fundit nga depresioni.
“Shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të shtetases Sh. O., 63 vjeçe, banuese në lagjen "Dobraç", e cila dyshohet se është vetëhedhur nga ura e vjetër e lumit Buna.
Nga këqyrja paraprake e trupit të pajetë, nuk janë konstatuar shenja dhune, si dhe nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo shtetase vuante kohët e fundit, nga depresioni”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.