Një aksident i rëndë u shënua mesditën e kësaj të marte në minierën në Thekën të Martaneshit. Dy minatorë të cilët ishin duke punuar si vagonistë u zunë poshtë nga një masiv gurësh.
Fatkeqësisht njëri prej minatorëve humbi jetën, ndërsa tjetri mbeti i plagosur. Burime për mediat bëjnë me dije se viktima është identifikuar si Armand Peshku, ndërsa Hajdar Bala mbeti i plagosur dhe është dërguar me urgjencë me helikopter drejt Spitalit të Traumës.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
"Me datë 21.05.2024, rreth orës 12.50, dyshohet se janë aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Thekën, Martanesh, shtetasi A.P., dhe H.B., të dy me detyrë vagonist në minierë. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi A.P., ka humbur jetën, ndërsa shtetasi H.B., është transportuar në spital për ndihmë mjekësore", njoftoi Policia më herët.