
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku janë përjashtuar nga radhët e policisë dy efektivët Henerigert Mitri dhe Klodian Shahini të cilët rezultojnë se kanë bashkëpunuar me anëtarët e grupeve kriminale në Lezhë dhe Fushë Krujë për të drejtuar dhe organizuar kultivimin e lëndëve narkotike dhe të lojrave të fatit.
Mitri dhe Shahini dolën në dosjen e SPAK ku u goditën 7 grupe kriminale dhe u lëshuan 50 urdhër-arreste.
Henerigert Mitri, ish-drejtori i Policisë së Lezhës rezulton i përfshirë në disa veprimtari kriminale. Konkretisht, Mitri akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Klodian Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.
Gjithashtu, ish-drejtori i lartë i Policisë së Shtetit, sipas SPAK, Henerigert Mitri në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjini, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.
Klodian Shahini rezulton se gjatë kohës që është angazhuar në veprimtarinë e kultivimit të drogës me drejtorin Henerigert Mitri, ka mbajtur detyrën e shefit të Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë e Qarkut Lezhë.
Dy zyrtarët e policisë kanë bashkëpunuar me vëllain dhe kushëririn e deputet Eduard Ndreca, Armando dhe Elvis Ndreca, duke i favorizuar në kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit. Veprimtaria e tyre i zbuluar nga zbardhja e komunikeve në Sky.
"Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Henerigert Mitri, me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin Klodian Shahini dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës. Po ashtu i hetuari Henerigert Mitri, në bashkëpunim me shtetasin Preng Gjini, aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës", - thuhet në deklaratën zyrtare.
NJOFTIM PËR SHTYP
Përjashtohen nga Policia e Shtetit 2 punonjës për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave dhe mosbindje të rëndë.
TIRANË, 20.05.2024 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, firmosi masën disiplinore “përjashtim nga policia” për dy punonjës, për të cilët Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masë sigurimi personal. Përjashtimi i tyre nga Policia e Shtetit është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë.
Pas firmosjes së urdhrave të përjashtimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, u shpreh:
“Në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin dhe, më keq akoma, bashkëpunon me grupet kriminale. Falënderoj Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit për bashkëpunimin profesional në përpjekjet e përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar dhe vënien përpara drejtësisë të kujtdo që tenton t’i shmanget asaj”.
Bazuar në ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, u vendos përjashtimi nga policia për:
1 – Drejtues H. M., me detyrë shef i Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4, 333/a/1, 334, 259, 197/3 dhe 248 të Kodit Penal.
2 – Komisar K. SH., me detyrë shef i Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80, 284, 28/4, 333/a/1 e 334 të Kodit Penal.