Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e paraqitur nga Erdion Muho, i cili akuzohet si bashkëpunëtor dhe organizator i tentativës për të vendosur një sasi eksplozivi në një anije udhëtarësh në portin e Sarandës më 24 qershor të këtij viti, ku humbi jetën Armandi Nelaj.
Muho, i akuzuar për shkatërrim të pronës me eksploziv në bashkëpunim, kërkonte një masë sigurie më të lehtë sesa arresti me burg, të cilin Gjykata e Apelit e kishte lënë në fuqi.
Eksplozivi shpërtheu në ujë, ndërsa 52-vjeçari Armandi Nelaj po e montonte atë në anijen e tipit delfin “Kristi”. Policia ka bërë me dije se ngjarja lidhet me çështje konkurruese, duke e drejtuar shënjestrën tek tragetet e kompanisë “Finikas”.