Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se ka dërguar në GJKKO kërkesën për gjyq ndaj disa shtetasve të akuzuar si pjesë e "klanit të Durrësit", të cilët kishin porositur vrasjen e ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si Landi Muharremi alias Rrumi i Shijakut.
Nga ngjarja e rëndë mbeti i vdekur shoferi i prokurorit të Durrësit, 24 vjeçari Andi Maloku dhe u plagosën Arjan Ndoka dhe Aleksandër Laho. Mirëpo, gjatë hetimit të kësaj ngjarje janë zbuluar dhe dokumentuar dhe disa ngjarje të tjera.
Provat e mbledhura nga SPAK gjatë hetimit kanë evidentuar faktin penal se shtetasit Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, kanë konsumuar elementët e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), Vullnet Muça (alias Muharremi), Genci Maloku dhe Arben Mërkuri (Maneci), për periudhën pas ngjarjes së datës 01.11.2019 (episod i konsumuar pas ngjarjes së datës 01.11.2019).
Pra, pas tentativës për të vrarë prokurorin Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahon, ku fatkeqësisht humbi jetën shoferi i mjetit Andi Maloku, personat e marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme kanë vazhduar me planet për të vrarë vëllain e Rrumit të Shijakut, shtetasin Vullnet Muça (alias Muharremi), shtetasin Genci Maloku, babai i shoferit të vrarë Andi Maloku, dhe shtetasin Arben Mërkuri (alias Maneci), mik i Aleksandër Lahos.
1- Shtetasit Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, edhe pas vrasjes aksidentale të shoferit 24 vjeçar Andi Maloku, gjatë tentativës për të ekzekutuar prokurorin Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahon, kanë planifikuar të vrisnin dhe babain e tij, shtetasin Genci Maloku.
Genci Maloku është takuar disa herë me prokurorin e SPAK që kishte në dorë çështjen ku mbeti i vrarë djali i tij, i punësuar si shofer i prokurorit Arjan Ndoja, dhe kjo mund t'i ketë shtyrë anëtarët e "Klanit të Durrësit" të planifikonin dhe ekzekutimin e tij.
2- Po ashtu, personat e përmendur me sipër, akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se kanë siguruar kushtet për të ekzekutuar dhe Vullnet Muçën (alias Muharremi), vëllain e të fortit të Shijakut, Aleksandër Laho, i njohur dhe si Rrumi i Shijakut. Shtetasi i akuzuar Plaurent Dervishaj, është një nga eksponentët më të fortë të krimit në zonën e Durrësit dhe aktualisht ndodhet në Dubai.
Pasi dështoi atentati për të vrarë prokurorin dhe Aleksandër Lahon, Dervishaj është angazhuar për të eleminuar vëllain e tij, Vullnet Muharremi dhe njerëzve të tyre të afërt. Plaurent Dervishaj është prej vitesh në konflikt me të fortin e Shijakut pasi e akuzon si organizator të atentatit ndaj tij në fshatin Koxhas.
3- "Klani i Durrësit" është angazhuar pas atentatit të datës 1 Nëntor 2019 për të ekzekutuar dhe shtetasin Arben Mërkuri (Maneci). Ky shtetas rezulton se është vrarë në Maj të vitit 2022, në afërsi të biznesit të tij në zonën e Sukthit. Ai njihej si mik i Aleksandër Lahos, i njohur dhe si Rrumi i Shijakut.
Në qendër të Sukthit, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri automatik, në drejtim të dyqanit të shtetasit Arben Mërkuri. Për pasojë, 48 vjeçari mori plagë të rënda në trup dhe ndërroi jetë në spital.
"Gjithashtu, provat e mbledhura gjatë hetimit kanë evidentuar faktin penal se shtetasit Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Ramazan Rraja, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri, kanë konsumuar elementët e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334, të Kodit Penal, në dëm të shtetasve Arjan Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), Vullnet Muça (alias Muharremi), Genci Maloku dhe Arben Mërkuri (Maneci), për periudhën pas ngjarjes së datës 01.11.2019 (episod i konsumuar pas ngjarjes së datës 01.11.2019)", thuhet në njoftimin e SPAK.
Aktualisht, në qeli me kërkesë të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme janë shtetasit Bashkim Haxhija, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Genti Ndërjaku i njohur edhe me emrin Kili Ndërjaku dhe Juljan Pjetri, të arrestuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe "Rrumit të Shijakut".
"Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto ngjarje, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr.184/1 të vitit 2021, numërtimin si procedimi penal Nr.184/2 i vitit 2024, dhe vijimin e hetimeve", përmbyllet njoftimi i SPAK.
© Newsbomb.al