Një ngjarje e rëndë u shënua ditën e djeshme (e martë, 22 tetor), ku një 58-vjeçare në gjendje të rënduar psikologjike u lye me benzinë dhe i vendosi zjarrin vetes para ambienteve të Bashkisë së Durrësit. Ishin kalimtarët e çastit ata të cilët ndërhynë menjëherë dhe i hoqën rrobat gruas e identifikuar si Fatime Gashi.
Menjëherë ajo u dërgua në Spitalin e Durrësit dhe më pas në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza ku dhe po vijon të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
“Ditën e sotme, në lagjen nr. 2, shtetasja F. G., 58 vjeçe, banuese në Durrës, ka tentuar të vetëdigjet me benzinë, në rrugë. Aktualisht ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, njoftoi dje Policia.
Pas këtij akti ekstrem qëndron një e vërtetë e trishtë e cila shtyu Fatime Gashin drejt vetflijimit. Gruaja 58-vjeçare do të ishte viktima e dytë për shkak të një kredie që kishte marrë në institucionet e mikrokredive dhe nuk po e shlyente dot.
Pas të ndjerit Pal Trashaj i cili piu helm para ambienteve të SPAK pasi po haste probleme të mëdha me një kredi të mbetur që nga viti 2008, vetëm 760 mijë lekë të vjetra që Micro Credit Albania ia kishte çuar 4.8 milion lekë, 58-vjeçarja do të digjte veten për 100 mijë lekë të reja, ose e thënë ndryshe për një milion lekë.
Nga shtrati i spitalit në QSUT ku dhe po vijon të marrë mjekim për plagët si pasojë e djegies, Fatime Gashi i ka bërë thirrje shtetit për ndihmë pasi kredidhënësit janë duke i bërë presion.
“Nuk e përballoj dot më. Kam marrë kredi dhe më bëjnë presion”, u shpreh ajo.
Fatime Gashi jeton vetëm me djalin e saj, i cili jo gjithmonë gjen punë. Ajo trajtohet me një pension familjar prej 90 mijë lekësh dhe gjendja në të cilën jetojnë është e mjerueshme.
Fatimja shfrytëzon muajt e verës që të punojë, ndërkohë frekuenton qendrën sociale ditore në bashkinë e Durrësit, ku ushqehet me tre vakte.