
Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi ka mbërritur në tokën shqiptare. I shumëkërkuari i drejtësisë është ekstraduar këtë të mërkurë nga Stambolli në Tiranë.
Ekstradimi i 45-vjeçarit është bërë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi.
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e mbërritjes së tij në aeroportin e Rinasit, ku Rexhepi shfaqet i shoqëruar nën masa të rrepta sigurie.
Përmes një njoftimi zyrtar autoritetet bëjnë me dije se ndaj Dritan Rexhepit në vitin 2020 GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ''Fshehja dhe asgjësimi i kufomës'', “Trafikimi i lëndëve narkotike”, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin Gentjan Doda ka urdhëruar rrëmbimin e Jani Prengës, pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i Prengës kishte vjedhur në Angli, një kontenier me lëndë narkotike në pronësi të 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit të tij.
Gjithashtu, në vitin 2015, Gjykata e Fierit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve";
-Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale "Vrasja me paramendim” dhe "Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit". Më datë 06.10.1999, në një lokal në Krujë, 45-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin D. K., si dhe ka plagosur pronarin e lokalit, shtetasin R. B., i cili ka humbur jetën më pas, në spital;
-Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për trafikim të lëndëve narkotike. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi, në Firence. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim.