Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masat “detyrim paraqitje” dhe “arrest shtëpie” për 7 shtetas, mes tyre edhe ish-punonjësin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të cilët akuzohen se kanë kryer skema mashtrimi me TVSH duke lëshuar fatura fiktive dhe duke i shkaktuar shtetit dëm prej 60 milionë lekësh.
Sipas njoftimit të Prokurorisë mësohet se pas analizimit të fakteve është provuar se janë krijuar dhe regjistruar në mënyrë fiktive përmes falsifikimit, 17 subjekte tregtare, të gjitha me aksionerë administrator dhe pjesëtarë bordi drejtues, shtetas të huaj, përkatësisht 15 shtetas nga vende si Kuba, Spanja, Gjermania, Kroacia, Malta, Belgjika, Italia, India, Bangladeshi.
Të 17 subjektet tregtare kanë kryer shitje në mënyrë fiktive në vlerën 200,000,000 lekë, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën 60,000,000 lekë. Nga verifikimi i kryer, këto subjekte nuk kanë pasur asnjëherë punonjës, mjete ose adresa sekondare për të kryer punimet të cilat kanë faturuar.
Gjithashtu nga TIMS rezulton se 15 shtetasit e huaj të cilët kanë firmosur regjistrimet e subjekteve pranë QKB-së nuk kanë vizituar asnjëherë Shqipërinë. Nga hetimet ka rezultuar se dokumentet janë të falsifikuara dhe në total subjektet fiktive kanë kryer shitje në vlerë 192,622,898 lekë (të dhëna nga vetëdeklarimi). Këto vlera të cilat dyshohet të jenë fiktive, janë faturuar vetëm te subjekti që operon në fushën e kromit.
Personi nën hetimi shtetasi A. D., (ish specialist pranë QKB-së Vlorë), ka mundur të kryej regjistrimin e katër subjekteve tregtare, me status Sh.A (shoqëri aksionere). Ndërsa, personi tjetër nën hetim, shtetasi A. Ç. (ekonomist), ka krijuar kushtet për të furnizuar subjekte të treta nëpërmjet subjekteve fiktive për të cilat ka pasur akses në sistemet e tyre si dhe dokumentacionin tatimor (blloqe TVSH).
Gjithashtu, prokuroria dyshon se shtetasit A.Ç., A.D., M.L., A.A., R.R., A.A., F.D., duhet të hetohen për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Masat e kërkuara nga Prokuroria:
1-Caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg” për personin nën hetim A.Ç. Për veprën penale të parashikuar nga neni 144/a i Kodit Penal;
2-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nen hetim A.A. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
3-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të për personit nën hetim M.L. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
4-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nën hetim R.R., për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
5-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për personin nën hetim F.D. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
6-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për personin nën hetim A.A. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal
7-Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” për personin nën hetim A. D. për veprën penale të parashikuar nga neni 190 dhe 300 i Kodit Penal.