Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Hamburg, ku Dritan Lalaj, një i ri nga Frakulla e Fierit është gjetur i pajetë në banesën e tij më 1 nëntor. Policia gjermane dyshon se ai mund të ketë kryer vetëvrasje, pasi familjarët tregojnë se Dritani kishte dërguar një letër kushëririt të tij dy javë më parë, në të cilën shprehte dëshirat e tij për t'u larguar nga jeta.
Familja e Dritanit, e cila ndodhet në kushte të vështira ekonomike, është angazhuar për të organizuar një grumbullim fondesh me qëllim kthimin e trupit të tij në Shqipëri.
Ai ishte djali i vetëm i familjes, ndërsa pesë vjet më parë,nëna e tij ndërroi jetë, dhe tani babai Gori Lalaj, i cili është i sëmurë dhe pa të ardhura, ka mbetur i vetëm.
Trupi i Dritanit pritet të arrijë në Shqipëri brenda disa ditësh, dhe komuniteti shqiptar ka treguar solidaritet duke u angazhuar për ndihmën e familjes në këtë moment të vështirë.