Pas sekuestrimit të 10 milionë dollarëve në kriptovaluta nga vëllezërit Çopja, dyshimet janë shtuar se ata mund të kenë fshehur edhe lingota ari, të cilat ende nuk janë vënë në sekuestro nga SPAK.
Sipas ish-prokurorit Besnik Muçi, kjo është një strategji e botës së krimit, duke thënë se ari dhe kriptovalutat janë dy nga mënyrat kryesore ku investohen paratë e aktiviteteve të paligjshme.
“Janë dy format, është forma më e vjetër në botë dhe forma më e re. Lingotat e arit [më e vjetra] kanë disa vjet që qytetërimi ruan pasurinë në lingota ari, në ar. Forma e re është kriptovaluta. Të dyja këto janë forma mjet shkëmbimi”, tha Muçi.
Ai tregon se nuk kishte dëgjuar më parë për një rast ku krimi të investonte në 40 kilogramë lingota ari, por sipas tij tani shumë njerëz mund të tentojnë të zbulojnë ku ndodhet kjo pasuri.
“Do jetë si koshere bletësh, do vijnë njerëzit të gërmojnë tani ku është ari. 40 kile ar i pastër. Ata e dinë mirë që agjencitë ligjzbatuese sidomos në Shqipëri, une di që s’jemi ende të përgatitur të bëjmë hetime të kësaj natyre. Edhe në rang global është shumë e vështirë për t’u zbuluar pasuria në kriptovalutë nga agjencitë ligjzbatuese. Jam i sigurt. Kapjet që bëjnë agjencitë ligjzbatuese duhet të jenë shumë minore, minimale në raport me vlerën që qarkullon”, tha Muçi.