SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim çështjen e oficeres së Policisë Gjyqësore, Anila Dushku, e cila akuzohet për marrje rryshfeti. Dushku akuzohet se i ka marrë qytetares Hava Lloga, 1 mijë euro për t’i pushuar djalit të kësaj të fundit një çështje penale pasi akuzohej për veprën “ndërtim pa leje”.
Mbi OPGJ-në Anila Dushku rëndon akuza “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, ndërsa hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë vërtetuar se Dushku ka kryer veprime aktive në kundërshtim me ligjin.
Saktësisht Anila Dushku i ka kërkuar 1 mijë euro qytetares kundrejt premtimit për të mbyllur dosjen që djali 68 vjeçares kishte në ngarkim. Kundrejt këtij të fundit kishte filluar një procedim mbi veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Hava Lloga i është drejtuar emisionit investigativ “Fiks Fare” ku ka denoncuar publikisht këtë çështje. Hetimet ndaj OPGJ-së Dushku kanë nisur menjëherë pas denoncimit në shtator të 2024 ndërsa momentalisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr. 180 të vitit 2024 dhe paraqiti para Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim në ngarkim të të pandehurës:
A.D. e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal.
Procedimi penal u nis nga Prokuroria e Posaçme, bazuar mbi pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, të cilat tregonin rastin korruptiv të oficeres së Policisë Gjyqësore, A.D., në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Në analizë të provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak rezultoi e provuar se e pandehura A.D. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat konsistojnë në kërkimin dhe marrjen e përfitimit të paligjshëm (prej 1 000 eurosh) nga shtetasja H.Ll. kundrejt premtimit për të mbyllur çështjen në ngarkim të djalit të saj, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a të Kodit Penal. Pasi u njoh me kërkesën e të pandehurës, shtetësja H.Ll i është drejtuar emisionit “Fiks Fare” për ta bërë publik rastin.
Nga të dhënat konkrete të grumbulluara gjatë hetimit paraprak për këtë procedim penal, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se ka qenë e pandehura A.D. me detyrë Oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka pasur një rol aktiv të kundërligjshëm në bisedat me shtetasen H.Ll, duke i udhëzuar vendin dhe datën e takimit si dhe dorëzimin e shumës së parave [mitës].