
Policia e Tiranës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër për përfshirje në një rast mashtrimi, ku janë përfituar 6 mijë euro nga një biznesmen.
Sipas hetimeve, Ervis Belollari, një personazh i njohur në TikTok me pseudonimin "delluks", dhe Arsen Matollari, janë paraqitur si përfaqësues të një institucioni vendor për të mashtruar biznesmenin dhe për të marrë shumën e parave.
Operacioni policor i koduar "Unknown" u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6. Belollari, 26 vjeç, u arrestua, ndërsa Matollari, 32 vjeç, është shpallur në kërkim. Biznesmeni i mashtruar është nga qyteti i Lushnjes dhe zhvillon aktivitet në tregun e bimëve medicinale.
Policia ka publikuar videon e momentit kur janë marrë 6 mijë eurot, duke konfirmuar masat e marra në kuadër të hetimeve për zbardhjen e këtij rasti mashtrimi.
Vijon puna për kapjen e Arsen Matollarit dhe për dokumentimin e plotë të rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.