
32-vjeçari Arsen Matollari është arrestua gjatë ditës së sotme nga autoritetet si i përfshirë në një skemë mashtrimi së bashku me një tjetër person të identifikuar si 26-vjeçari Ervis Belollari, të cilët kanë përfituar 6 mijë euro nga një biznesmen.
Sipas hetimeve, Ervis Belollari, një personazh i njohur në TikTok me pseudonimin "delluks", dhe Arsen Matollari, janë paraqitur si përfaqësues të një institucioni vendor për të mashtruar biznesmenin dhe për të marrë shumën e parave.
Operacioni policor i koduar "Unknown" u finalizua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6. Biznesmeni i mashtruar është nga qyteti i Lushnjes dhe zhvillon aktivitet në tregun e bimëve medicinale.
“Vijon operacioni policor “Unknown”.
Ishte shpallur në kërkim pasi së bashku me një 26-vjeçar (i arrestuar ditën e djeshme) i morën 6000 euro një shtetasi, nëpërmjet mashtrimit, vihet në pranga 32-vjeçari.
Sekuestrohen 4700 euro dhe automjeti me të cilin këta shtetas lëviznin.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, falë dhe inteligjencës policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në vijim të operacionit policor “Unknoën” bënë kapjen e ndalimin e shtetasit A. M., 32 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin E. B (i arrestuar ditën e djeshme) kanë përfituar 6000 euro nga një biznesmen, duke iu prezantuar atij si përfaqësues të drejtuesit të një institucioni vendor.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. M., shërbimet e Policisë gjetën 4700 euro të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me automjetin me të cilin këta shtetas lëviznin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme,” thuhet në njoftimin e policisë.