
Nuredin Dumani po vijon dëshminë e tij këtë të martë në GJKKO për dosjen "Pumbi i Artë". Mësohet se i penduari i drejtësisë ka rrëfyer se si ka arritur t'i shpetojë burgut, pasi kishte qenë i arrestuar për vepra të ndryshme penale.
Gjatë dëshmisë së tij, Dumani ka treguar ndër të tjera se avokati Alban Bengasi ka qenë ndërmjetës, teksa shtoi se gjithashtu ka pasur edhe ndihmën e vëllait të ish-ministrit të drejtësisë. “Pentito” i drejtësisë ka zbuluar se avokati i ka dhënë 40 mijë euro dhëndrit të vëllait të ish-ministrit Nasip Naço, që në atë kohë ishte shef i spitalit.
“Kam paguar para që të dilja nga burgu, kisha avokat Alban Bengasin. Më ka ndihmuar dhëndri i vëllait të Nasipit, që është mjek”, ka dëshmuar ai.
Dumani ka rrëfyer ndër të tjera se është ndihmuar madje edhe nga një mjek duke i siguruar një raport mjekësor ku thuhet se kishte vetëm pak muaj jetë.
“I bënë letrat sikur isha për të vdekur. Dhe më nxorën nga burgu gjasme vuaja nga zemra”, ka vijuar Dumani.
SPAK po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandehur, të cilët i kundërshtojnë rrëfimet e kreut të grupit të vrasësve me pagesë, Nuredin Dumani. Ky i fundit është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro. Dëshmitë e Dumani në GJKKO janë zhvilluar mes tensioneve për shkak të ndërhyrjeve dhe kundërshtimeve të të pandehurve të tjerë.