Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

I dërgoi para babait që luftonte me ISIS në Siri, pranohet kërkesa e SPAK për gjykimin e 40 vjeçarit nga Peshkopia

Shkruar nga Newsbomb
I dërgoi para babait që luftonte me ISIS në Siri, pranohet
FotoMontazh: Mehdi Manollari - SPAK

Muhamet Manollari, një 40 vjeçar me origjinë nga Radomira, Peshkopi dhe me banim në Tiranë, do të gjykohet nga togat e zeza për veprën penale "Financim i terrorizmit". Ai akuzohet se i ka dërguar babait të tij një shumë prej 864 eurosh, në vitin 2018, gjatë kohës që ai ndodhej në Siri.

Nga aktet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Muhamet Manollari është djali i shtetasit Mehdi Manollari, ky i fundit në datën 05.05.2013 është larguar nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara.

Mehdi Manollari është futur nga shteti në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit, ndërkohë që sipas SPAK, në vitin 2019 ky shtetas besohet se ka vdekur në luftë.

Në datën 19.11.2018, i pandehuri Muhamet Manollari, ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime financiare “transferta monetare” shumën prej 864 (tetëqind e gjashtëdhjetë e katër) Euro, në favor të shtetasit sirian me iniciale A.A.S, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri, dhe ka qenë pjesëmarrës i organizatës terroriste “ISIS”.

Për të dërguar këtë shumë parash, i pandehuri Muhamet Manollari nuk ka përdorur emrin e tij, por ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes, dhe shuma e parave është dërguar jo në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetasit Mehdi Manollari (pasi ai ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta), por një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian A.A.S.

Nisur nga këto fakte, Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur në GJKKO kërkesën për gjykim në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit” dhe kërkesa është pranuar sot nga togat e zeza.

Tiranë, më datë 28.05.2024 - Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 21.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të çështjes penale hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 255 i vitit 2021 i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit” e parashikuara nga neni 230/a i K.Penal.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, mbështetur në nenet 332/dh/1 shkronja “a”, 332/e, 332/f dhe 332/gj të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 66, datë 28.05.2025, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2. Dërgimin për gjykim të çështjes penale hetuar në kuadër të procedimit penal nr. 255 i vitit 2021 i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, i dtl. 26.05.1984, lindur në Radomirë, Peshkopi dhe banues në Tiranë, RR. Petraq Leka, me shtetësi dhe kombësi Shqiptare, me gjendje civile “i martuar” dhe gjendje gjyqësore “i padënuar”, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit” e parashikuara nga neni 230/a i K.Penal. Mbrojtur në gjykim nga av. Roland Islami, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë, mbrojtës i zgjedhur nga i pandehuri me deklarim në seancë gjyqësore.

3. Urdhërohet formimi i fashikullit të gjykimit duke përfshirë në të aktet e hetimeve paraprake dhe aktet e seancës paraprake.

4. Urdhërohet depozitimi i vendimit gjyqësor të dërgimit të çështjes në gjyq së bashku me fashikullin e gjykimit në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykata kompetente për gjykimin e çështjes së themelit, brenda dhjetë ditëve nga shpallja e tij.

5. Kundër këtij vendimi nuk lejohet e drejta e ankimit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese