Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur sot të lërë në fuqi vendimin e GJKKO-së për dënimin me burg përjetë për Redjan Rrajën, i akuzuar më herët nga SPAK për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, në nëntorin e vitit 2019.
Për bashkëpunëtorin e tij në këtë krim, Ariol Halilaj, është lënë sërish në fuqi vendimi i dhënë më parë nga kjo gjykatë, ku ai ishte dënuar me 35 vite burg.
Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi kërkesën e SPAK , në vendimin e dhënë në gusht të vitit 2023 vendosi që të dënojë Redjan Rrajën me burgim përjetë, si dhe për shokun e tij, Arjan Halilaj 35 vite burg.
Vendimi i dhënë nga GJKKO-ja nuk u pranua nga të pandehurit, të cilët apeluan vendimin e tyre në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, pasi ato nuk kanë pranuar që kanë qenë organizatorët e sulmit në Durrës.
Redjan Rraja së bashku me Arjan Halilaj akuzohen se janë ekzekutorët kryesorë në atentatin e bërë ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja në 1 nëntor të vitit 2019. Atentati ndaj ish-prokurorit u bë në mbikalimin e Shkozetit në aksin rrugor Durrës-Tiranë, ku mbeti i vdekur në vend shoferi i Ndojës, Andi Maloku, ndërsa u plagosën ish-prokurori, Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “rrumi i Shijakut”.
Rraja, u arrestua nga Policia e Shtetit, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtave të gjetura në një prej syzeve që ndodheshin në makinën Benz ngjyrë gri, që u gjet e padjegur në Ishëm me të cilën po udhëtonin autorët e atentatit. Vetë Rraja ka deklaruar se po largohej nga Shqipëria drejt Italisë për aryse personale, duke shtruar se nuk kishte lidhje me atentatin.
Gjithashtu në hetimin e SPAK, u zbulua se në këtë atentat kanë marrë pjesë edhe disa persona të tjerë si para ashtu edhe pas ngjarjes.
Për këtë u arrestuan shtetasit Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar alias Dritan Shkëmbi, Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani, të cilët po gjykohen nga organet e drejtësisë në një proces më vete, të ndarë nga dy të pandehurit kryesorë Redjan Rraja dhe Arjan Halilaj.