
Një ngjarje tronditëse është shënuar disa ditë më parë në Greqi, ku Eduart Danaj maskaroi me thikë dhe la në rrugë të vdekur bashkëshorten e tij, Enkelejda Danaj.
Në lidhje me këtë ngjarje tragjike ka folur edhe vajza e çiftit, e cila është shprehur se babai vazhdimisht e dhunonte nënën dhe se ishte një person që konsumonte shumë alkool, çfarë sillte dhe sjelljen agresive.
“Gjithmonë e mbaj mend duke pirë. Kur pinte bëhej agresiv ndaj nesh. Mbaj mend që ai godiste mamanë time, por kur u rritëm ai ndaloi sepse ne e pengonim. Ai mendonte se nëna ime po e tradhtonte dhe ishte shumë xheloz. Ai kërcënoi se do të na vriste dhe do të vriste veten. Nuk më kishte goditur kurrë mua dhe vëllain tim”, pohoi vajza, sipas medieve greke.
Ditën e djeshme Eduard Danaj doli para Gjykatës dhe ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”.
Kokëulur para gjyqtarëve, Danaj tha se është në gjendje të rënduar shpirtërore dhe është penduar për krimin monstruoz. Teksa pranoi krimin e rëndë, shqiptari kërkoi falje dhe deklaroi se i vjen keq për veprimet e tij.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e 16 majit në Menidi të Greqisë, ku Eduart Danaj i bëri pritë bashkëshortes së tij. Gruaja po përshkonte rrugën që bënte çdo ditë, kur para i doli partneri dhe pas një debati e qëlloi 10 herë me thikë në bark dhe ashtu të gjakosur e la në mes të rrugës.
Pas ngjarjes së rëndë 50-vjeçari vlonjat u largua dhe policia u vu në ndjekje të tij, ku vetëm pas disa orësh bënë të mundur arrestimin e shqiptarit.
Sipas asaj që mediat greke zbuluan më herët 40-vjeçarja e kishte denoncuar disa herë bashkëshortin e saj për dhunë. Për herë të parë gruaja ka denoncuar burrin për dhunë në familje më 3 Prill të 2013. Atë kohë bashkëshorti u arrestua.
Një tjetër denoncim është bërë në 18 shtator të 2022, ku viktima ka denoncuar burrin për kërcënime, lëndim fizik dhe dhunë psikologjike. Atë kohë sërish ai ra në prangat e policisë dhe u lirua disa kohë më vonë. 50-vjeçari u rikthye sërish te banesa e bashkëshortes së tij, pa çka se kishte një urdhërndalimi që t’i afrohej.
Ishte vetë 40-vjeçarja ajo e cila i hapi derën e shtëpisë partnerit të saj dhunues duke u dhënë dhe një tjetër mundësi. Mirëpo burri i dhunshëm duket se nuk do të hiqte “huqin”. 40-vjeçarja sërish më 7 maj të 2024 ka denoncuar në polici, sërish bashkëshortin për dhunë në familje (kanosje, lëndim fizik dhe abuzim verbal).