Hapësire reklamuese


Aktualitet

I akuzuar për bashkëpunim me Ilir Beqajn, Gazmend Haxhia paraqitet sot në SPAK

Shkruar nga Newsbomb
I akuzuar për bashkëpunim me Ilir Beqajn, Gazmend Haxhia paraqitet sot
Gazmend Haxhia

Biznesmeni i njohur, Gazmend Haxhia është paraqitur ditën e sotme në ambjentet e brendshme të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për verifikim të masës së sigurisë të vendosur më herët nga GJKKO ndaj tij.

GJKKO vendosi ndaj Haxhiajt masën e sigurisë “Arrest në Shtëpi”, por ajo nuk ishte ekzekutuar akoma nga policia pasi ai ndodhej jashtë Shqipërie, dhe për këtë bashkë me avokatin e tij, ai ka shkuar në SPAK. 

Gazmend Haxhia u ndalua mesditën e 8 korrikut nga policia, sapo zbriti nga avioni në aeroportin e Rinasit. Avokati i tij, Henrik Ligori tha se Haxhia u vetëdorëzua dhe njoftoi prokuroren e çështjes se do ndërpriste vizitën në Kinë për tu përballur me drejtësinë.

Haxhia është akuzuar nga SPAK, si bashkëpunëtor i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në dosjen e shpërdorimit të fondeve të BE-së, SASPAC.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera me përfitues vetë ish-ministrin.

Një rast të veçantë, SPAK thotë se SASPAC i dha 125 mijë euro kompanisë së biznesmenit Haxhia për organizimin e një konference turizmi e për të njëjtin event, edhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë.

Sipas prokurorisë, nga 500 mijë euro tenderë u shpenzuan 4.2 mln lekë për një darkë te “Gzona”, që SPAK thotë se është në pronësi të Ilir Beqajt, biznes që u përdorur nga kompanitë përfituese të fondeve që të kthenin paratë si ryshfet.

Kujtojmë se disa ditë më parë, në datën 6 korrik në një seancë, në Gjykatën e Posaçme, e cila zgjati për rreth 6 orë u rivlerësuan masat e sigurisë ndaj personave në hetim.

Ish-ministri, Ilir Beqaj u la në arrest me burg, pavarësisht se ofroi 50 mijë euro garanci për të marrë lirinë. Edhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Ermal Kurtulja, u la në qeli ndërsa për lirinë me kusht e cila iu refuzua, ofroi paratë e shitjes të një Audi Q7.

Beqaj mohoi të gjitha akuzat ndërsa avokati i tij tha se SPAK e ka personale me ish-ministrin jo vetëm për të denigruar figurën e tij, por edhe për ta penguar ish-ministrin e Shëndetësisë të vijojë betejën për çështjen në hetim të sterilizimit, për të cilin ka nisur edhe një hetim parlamentar.

Ndaj Ilir Beqajt SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit, dhe pabarazisë në tenderë. Ndërsa të proceduarit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe për mashtrim.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese