Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vetëvrasja e efektives 21- vjeçare të policisë në Tiranë, Aldorjana Loshi. Efektivja qëlloi veten me armën e shërbimit në apartamentin e saj në "Ali Dem", në të cilin jetonte vetëm, ndërsa la pas nënën dhe një vëlla më të vogël, pasi babai kishte disa vite që kishte ndërruar jetë.
Në një intervistë për emisionin “Jetë shqiptare” në RTSH, e afërmja e saj ka rrëfyer se efektivja është futur në polici pas një insistimi të vazhdueshëm të saj edhe pse nën kundërshtimin e familjes, duke qenë se donte të hetonte vdekjen e të atit.
Dyshimet se në ngjarje mund të kishte të implikuar të tjerë, lindën pas dëshmisë që ajo ka dhënë në gjykatë, ku sipas të afërmes ka qenë e detyruar që të dëshmonte fjalët e së ëmës dhe për këtë ishte dhunuar edhe me kabull nga ajo.
“Mamaja vet, se vëllai ka qenë i vogël. Mamaja ka deklaruar në gjykatë dhe Aldorjana thoshte se kur ka shkuar ajo e ka rrahur me kabëll që të dëshmonte atë që donte ajo. Dhe pastaj filluan të kishin konflikte dhe dyshimet e vajzës. Ajo mezi priste të rritej e të largohej”,- tha e afërmja.
Duke u nisur nga rrëfimi i të afërmes, babai i efektives kishte vdekur në një aksident të papritur të ndodhur në autostradë në vitin 2009, pas një telefonate që ai kishte marrë në orën 1:30 të natës. Autoritetet kanë mbyllur hetimet për këtë ngjarje, ndërsa e vërteta e aksidentit nuk u zbulua asnjëherë dhe as nuk u bënë përpjekje për të vendosur para drejtësisë autorët e saj.
“Ka vdekur nga një aksident i papritur pas një telefonate në orën 1.30 të natës, ka dal nga shtëpia dhe ka vdekur në autostradë në 2009. Janë mbyllur hetimet dhe asnjëri nuk ka bërë burg. Dhimbja që ka përfshirë familjarët ka qenë e madhe dhe gjithmonë ka pasur hije dyshimi si vdiq i ati”,- është shprehur ajo.
Në vijim të deklaratës së saj, ajo gjithashtu shprehet se efektivja nuk e kishte pasur asnjëherë përkrahjen familjare, ndërsa hedh hije dyshimi se ajo mund të jetë shfrytëzuar nga e ëma, teksa vendos në pikëpyetje edhe luksin e shtuar në jetën e familjarëve të saj.
“Dukeshin fëmijë në nevojë, fëmijë pa shkollë, me punë të rëndomta, dhe papritmas u shfaq një jetë luksi. Nuk e di burimin e parave. Thuhet që ka zbuluar shumë gjëra ose mund të jetë shfrytëzuar, sepse në një jetë të tillë nuk mund të fitosh paga të tilla. Ajo u shpërfytyrua kohët e fundit, u dobësua, i ranë flokët, ishte shumë e irrituar dhe e trishtuar”,- përfundon ajo.
Kujtojmë se efektivja 21- vjeçare, Aldorjana Loshi u gjet e vdekur dy javë më parë, nga i dashuri në apartamentin e saj në “Ali Dem”, pasi kishte vrarë veten me armën e shërbimit.
Efektivja kishte filluar punë në Komisariatin nr.5 në Kamëz, prej një viti e gjysëm.
Pjesë nga intervista:
Gazetarja: Pse gjithë ky insistim nga pjesa tjetër e familjes për të qenë kundër Aldorjanës për të zbuluar të vërtetat apo kundër saj si vajzë?
E afërmja: Familjarët thonin se ajo nuk bindej dhe nuk merr vesh ika ngjarë të atit. Ndërsa vajza thotë se nuk është dakord me atë që thonë për babin, ajo thoshte se e kanë rrahur me kabëll në gjykatë që ajo të thoshte atë që donin ata, dhe për këtë arsye dyshonte.
Gazetarja: Kush këta?
E afërmja: Mamaja vete, se vëllai ka qenë i vogël. Mamaja ka deklaruar në gjykatë dhe Aldorjana thoshte se kur ka shkuar ajo e ka rrahur me kabëll që të dëshmonte atë që donte ajo. Dhe pastaj filluan të kishin konflikte dhe dyshimet e vajzës. Ajo mezi pritej të rritej e të largohej.
Gazetarja: Si ka vdekur i ati?
E afërmja: Ka vdekur nga një aksident i papritur pas një telefonate në orën 1.30 të natës ka dal nga shtëpia dhe ka vdekur në autostradë në 2009. Janë mbyllur hetimet dhe asnjëri nuk ka bërë burg. Dhimbja që ka përfshirë familjarët ka qenë e madhe dhe gjithmonë ka pasur hije dyshimi si vdiq i ati.
Gazetarja: Keni vënë re ndonjë ndryshim tek ajo kohët e fundit?
E afërmja: Dukeshin fëmijë në nevojë, fëmijë pa shkollë, me punë të rëndomta, dhe papritmas u shfaq një jetë luksi. Nuk e di burimin e parave. Thuhet që ka zbuluar shumë gjëra ose mund të jetë shfrytëzuar, sepse në një jetë të tillë nuk mund të fitosh paga të tilla. Ajo u shpërfytyrua kohët e fundit, u dobësua, i ranë flokët, ishte shumë e irrituar dhe e trishtuar.