![Humbi shikimin pas aksidentit, ditë të vështira për Kristian](https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/media3/-900-0-68dee24e4e834d9ccd256cffef36318c.jpg)
Për biznesmenin Kristian Boçi dhe familjen e tij këto ditë nuk janë aspak të lehta. Pas aksidentit të rëndë që biznesmeni së bashku me dy fëmijët u përfshinë ditë më parë, Boçi njoftoi se fatkeqësisht kishte humbur shikimin në syrin e majtë.
“Faleminderit për mesazhet. Vërtetë kam humbur shikimin në syrin e majtë, por gjithmonë me shpresën që do më vijë. Faleminderit Zotit që i kam mirë fëmijët”, njoftoi biznesmeni ditë më parë. Teksa sot ka publikuar një tjetër foto ku shihet pranë nënës së tij.
Kristiani i cili njihet për besimin e tij dhe në çdo hap falënderon Zotin, përmes këtij postimi s’ka nguruar të falenderojë edhe të gjithë ata që i kanë uruar shërim të shpejtë dhe janë shqetësuar për shëndetin e tij. Gjithashtu një falënderim të veçantë biznesmeni ka shprehur edhe për bluzat e bardha në Spitalin Ushtarak të cilët e kanë asistuar dhe kujdesur për të, në çdo moment pas aksidentit.
“Qenka e rëndë të zgjohesh pas 47 viteve me një sy. Faleminderit o Zot për çdo të mirë e të keqe që më dhuron. Ta duam dhe ta vlerësojmë Zotin në çdo hap. Zoti ua bekoftë dorën për çdo sms. Faleminderit Spitali Ushtarak”, shkruan Kristian Boçi.
![Humbi shikimin pas aksidentit, ditë të vështira për Kristian](https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/media3/-900-0-1726822899xscreenshot-15-529.jpg)
Kujtojmë që më 13 shtator policia njoftoi se në aksin Lushnjë-Tiranë automjeti me tre anëtarët e një familje u përfshi në një aksident. Biznesmeni Kristian Boçi u aksidentua teksa udhëtonte nga Tirana në drejtim të jugut të vendit. Në makinë me të kanë qenë dhe dy fëmijët e mitur.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 06:30, në aksin rrugor "Tiranë-Lushnjë" dhe shkaqet e daljes së mjetit Mercedes Benz GLE nga autostrada nuk dihen ende.
"Si pasojë e daljes së automjetit nga rruga, janë dëmtuar lehtë shtetasi Kristian Boçi dhe 2 fëmijët e tij të mitur, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit", njoftoi Policia.