Enea Themollari, 26 vjeç, i cili ishte plagosur rëndë nga shpërthimi i tritolit në banesën e motrave Nikolli në Elbasan, ka ndërruar jetë në spital. Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 korrik, kur një sasi eksplozivi u vendos në hyrjen e apartamentit të fqinjit, duke lënë të plagosur Themollarin, i cili nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen.
Pas disa kohëve në gjendje të rëndë 26-vjeçari, mbylli sot sytë përgjithmonë. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Givovanna Nikolli. Ajo ka postuar një shirit të zi në rrjetet sociale, teksa i shpreh ngushëllime familjes së të riut, që humbën djalin padrejtësisht.
“Ngushëllime familjes së Enes. Zoti ju dhëntë forcë që të përballoni këtë dhimbje. Ju prehtë shpirti në paqe”, shkruan ajo në një postim në rrjetet sociale.
Kujtojmë që Xhovana Nikolli pas shpërthimit që shënjestronte atë dhe motrën e saj, drejtoi gishtin nga Nuredin Dumanit si autorin e vendosjes së tritolit. Sipas saj, shpërthimi ishte një akt hakmarrjeje ndaj saj dhe motrës së saj, Aldës, të cilat jetonin me qira në hyrjen ku ndodhi shpërthimi. Enea Themollari, i cili banonte në apartamentin përballë, u bë viktimë e pafajshme e këtij akti të dhunshëm.
Pak kohë më parë, babai i Eneas kishte bërë apel për ndihmë, duke kërkuar ndërhyrjen e mjekëve për të shpëtuar të birin, i cili ishte në intubim. “Djali është në intubim, është dëmtuar në kokë, i ra dera në kokë,” thoshte ai mes lotësh, duke shpresuar për një mrekulli që fatkeqësisht nuk ndodhi.
Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 02:30 të mëngjesit, në lagjen “Haxhias” të Elbasanit, në derën e hyrjes ku jetonin me qira motrat nga Lezha, të cilat dyshohen si ishin shënjestra e sulmit. Policia dyshon se shpërthimi është i lidhur me një konflikt të mbartur nga qyteti i tyre. Fatkeqësisht, Enea Themollari, një i pafajshëm, humbi jetën për shkak të përplasjes së motrave Nikolli me Nuredin Dumanin.