
Mjeku i njohur Tritan Kalo ka dhënë një lajm të trishtë nga Kanadaja, ku ishte zhvendosur prej muajsh pasi doli në pension. Bashkëshortja e tij, Rozeta Kalo ka mbyllur sytë përgjithmonë pas një beteje për herë të dytë me kancerin.
"E mira, e urta, zemërbardha, e qeshura e shumëjetëdashura Rozeta Kalo, nuk do të mundet më fizikisht të jetë pjesë e të përditshmes në Familjen Kalo Jr, POR përjetësisht do të jetë e pranishme në mendjet dhe në zemrat tona…", shkruan mjeku.
Tritan Kalo është një mjek shumë i dashur dhe popullor në Shqipëri, pasi u bë simbol i shpresës në kohën e pandemisë së koronavirusit. Ai ja dedikoi jetën mjekësisë shqiptare deri ditën që doli në pension, gati një vit më parë.
Menjëherë më pas u shpërngul te familja e tij që jeton në Kanada prej dekadash, ndërsa dy ditë më parë njoftoi se gruaja Rozeta ishte diagnostifikuar me kancer për herë të dytë, vetë një javë përpara se të niseshin për në Shqipëri.
"Pabesia e “sëmundjes së shekullit kancerit”, na surprizoi vetëm dhjetë ditë përpara se NE të niseshim për në Mëmëdhe, kur mendonim se edhe shqetësimet e sëmundjes i kishim hedhur pas shpine me fillimin e këtij viti 2024…", shkroi mjeku dy ditë më parë, më 30 Maj.
Fatkeqësisht, dje më 31 Maj bashkëshortja e tij ka ndërruar jetë, pasi nuk e ka fituar dot betejën me kancerin.
"Të tre yjet tona Besjana, Enkelejda dhe Genta Juna Kalo, patën mirësinë të rriteshin e edukoheshin nga një Nënë mjaft e dedikuar për familjen dhe për ecurinë mbrothësuese të saj… Unë, Dr. Tritan Kalo, pata fatin të lidh jetën me një zemërbardhë, punëtore, familjedashëse, dijekërkuese dhe shpresësjellëse si Rozeta Kalo (Qirjako)…", vijon mjeku Tritan Kalo.