Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka thirrur të enjten mbledhjen e gjyqtarëve për të vendosur mbi përfundimin e mandatit të saj, pas një përplasjeje me Gjykatën e Lartë mbi afatet. Gjykata Kushtetuese njoftoi se mbledhja e gjyqtarëve nuk arriti në përfundim të enjten dhe vendimi pritet në ditët në vijim.
Afatet e mandatit të Zaçajt u bënë temë debati publik prej disa ditësh për shkak të interpretimeve të ndryshme të kohëzgjatjes së tij.
Gjykata e Lartë, përmes kryetarit Sokol Sadushi, këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe njoftoi shpalljen e vakancës dhe çeljen e garës për këtë post më 11 dhjetor. Gjykata e Lartë këmbënguli se njoftimi publik për shpalljen e garës dhe në vetë aplikimin e Zaçajt, që u bë po ashtu publik, përmendej mbarimi i mandatit në mars 2025.
Në krahun tjetër, Zaçaj arsyetoi se mandati i saj përfundon në fund të vitit 2025. Ajo po ashtu i kërkoi Komisionit të Venecias mendim mbi mënyrën e llogaritjes së kohëzgjatjes së afateve të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Zaçaj këmbëngul se qëndrimi i saj dhe kërkesa për interpretim nga Venecia kërkon të sigurojë pacënueshmërinë e mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
“Siguria e mandatit kushtetues është thelbësor për vetë demokracinë”, thuhet në reagimin për shtyp të shpërndarë nga Gjykata Kushtetuese në emër të Zaçaj.
Qëndrimi i Zaçajt për afatet u prit me kritika, ndërsa ajo u akuzua se nuk po i qëndronte asaj që kishte pranuar në aplikim në vitin 2022. Në reagim publik, Zaçaj thotë se në aplikim ajo i është referuar “termave të njoftimit të vakancave të shpallura nga Gjykata e Lartë”. Zaçaj thotë se afatet e përcaktuara në këtë njoftim nuk janë të sakta dhe se as nuk janë përcaktuese për mbarimin e mandatit, siç këmbëngul Gjykata e Lartë.
Zaçaj vë në dukje se Gjykata e Lartë po vepron pa bazë ligjore dhe është në shkelje të kompentecave të saj, ndërsa ka marrë përsipër interpretimin e Kushtetutës.
“Gjykata e Lartë ka vepruar në kundërshtim të hapur me dispozitat e nenit 127, pika 2, të Kushtetutës sipas të cilit “Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetues deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese”. Shpallja e vendit vakant nga Gjykata e Lartë, pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e ka zhveshur këtë të fundit nga kompetenca kushtetuese, veprim ky i paprecedent dhe i marrë me një urgjencë të pajustifikuar nga interesi publik apo forcë madhore, për të cilën të kërkohej ndërhyrje e menjëhershme”, thuhet në reagim.
Zaçaj thotë gjithashtu se megjithëse iu nënshtrua një sulmi të paprecedentë në media, ka bërë një hap pas dhe ka vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për të shpallur mbarimin e mandatit. Ajo thotë se e bëri këtë “në emër të interesit publik, në mbrojtje të institucionit që drejtoj, dhe për të shmangur mosmarrëveshje kushtetuese”. Në njoftim thuhet se mbledhja e të enjtes përfundoi pa një vendim. /BIRN