Ambasada e SHAB në Tiranë ka dalë këtë të enjte me një njoftim të rrallë për shtyp, ku bënte me dije se ishte vënë në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Selia diplomatike e "Rrugës së Elbasanit" sqaroi se ky grup nuk kishte asnjë lidhje me ta dhe programet arsimore amerikane për studentët shqiptarë.
Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA dhe Policia Kriminale kanë nisur një hetim të përbashkët për këtë skemë mashtrimi me bursa dhe bëhet me dije se dy drejtueset e programit janë vënë në hetim.
Departamenti i Policisë Kriminale në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, njofton se ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës për ushtrimin e kontrollit në banesën e shtetases V. L., zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.
Shtetasja V. L. është vënë në hetim bashkë me shtetasen K. J., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë krijuar një skemë mashtrimi, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24.”
Nga veprimet hetimore në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurisë së Ambasadës së SHBA në Tiranë, ka rezultuar se këto dy shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, janë përfshirë në këtë skemë mashtrimi që nuk ka lidhje me asnjë program studimi të ofruar nga Amerika për studentët shqiptarë.
Ndodhur në këto kushte, paralelisht me hetimit, selia diplomatike në Tiranë u është drejtuar me një thirrje për kujdes të gjithë shqiptarëve, që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët sepse nuk janë të vërteta.
Njoftim për shtyp - Policia e Shtetit, Departamenti i Policisë Kriminale
Departamenti i Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, hetime të përbashkëta me zyrtarë të zbatimit të ligjit të ambasadës së SHBA-së në Tiranë, për zbulimin dhe goditjen e një skeme mashtrimi për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për studime në SHBA.
Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ekzekutoi vendimin e Gjykatës, për ushtrimin e kontrollit në banesën e shtetases V. L., zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.
Shtetasja V. L. është vënë në hetim, bashkë me shtetasen K. J., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë krijuar një skemë mashtrimi, duke falsifikuar dokumente, për ofrimin e mundësive/bursave për studentët, për të studiuar në universitetet e SHBA-së, nëpërmjet projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24.”
Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë skemë mashtrimi.