Hapësire reklamuese

Aktualitet

Habiten ndërkombëtarët në sallë, KLP ndërpret mes debateve të forta mbledhjen për mandatin e kryetarit Alfred Balla

Shkruar nga Newsbomb
Habiten ndërkombëtarët në sallë, KLP ndërpret
Debate ne mbledhjen e KLP, Seiti (majtas) dhe Stojani (perballe, djathtas)

Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është ndërprerë mes debateve të forta të anëtarëve, ku po diskutohej për afatin e mandatit të kryetarit Alfred Balla. Ky i fundit është përjashtuar me një vendim të vettingut pak ditë më parë, për 15 vite nga sistemi i drejtësisë.

Balla thotë se vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nuk afekton detyrën e tij në krye të Qeverisë së Prokurorëve, ndërsa një pjesë e anëtarëve kërkojnë që ai të mos jetë më kryetar, shkruan newsbomb.al.

Mbledhja e sotme ka vijuar mes debateve të forta, kryesisht anëtares Nurihan Seiti dhe Sokol Stojanit. Në diskursin e zonjës Seiti është vënë re një mbrojtje e flakët ndaj kryetarit aktual Alfred Balla, e cila u vu në dukje dhe nga drejtuesi i mbledhjes Tartar Bazaj.

Ajo ka folur me tone të larta dhe vazhdimisht nënkryetari i KLP-së, Tartar Bazaj, njëherësh drejtues i mbledhjes së sotme i ka kërkuar të linte kolegët e tjerë të flisnin.

Ndërkohë, anëtari tjetër zoti Sokol Stojani ka kërkuar që deri në marrjen e një vendimi nga Këshilli i Lartë të Prokurorisë për ndërprerjen ose jo të mandatit, kryetari Alfred Balla të mos ketë të drejtë të marrë asnjë akt administrativ, shkruan newsbomb.al.

Seiti: Zoti Stojani, çfarë ka kaq për t'u nxituar?! Mandatin e ndërpresim ne... Po çfarë lloj funksioni mo!!!

Tartar Bazaj: Zonja Seiti lejoni kolegët të flasin. Ju lutem shumë!

Stojani: Propozoj që deri në momentin që të marrim një vendim, ai (Alfred Balla) të mos kryejë asnjë akt administrativ.

Mbledhja është ndërprerë pak minuta më parë, pas rreth 1 orë diskutime dhe nuk është lënë një afat se kur do të rinisë. Nëse do të jetë pas tre orësh, siç kërkoi drejtuesi i mbledhjes Tartar Bazaj, apo nesër siç kërkuan anëtarët e tjerë.

Ajo që dihet deri tani është që një komision prej tre anëtarësh të përpilojnë një relacion për efektet që mund të ketë, ose jo, vendimi i shkallës së dytë të vettingut në pozicionin aktual të kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, shkruan newsbomb.al.

Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte habia e përfaqësuesve ndërkombëtarë që ishin në sallën e mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ata shikonin të habitur debatin me tone të larta mes anëtarëve, kryesisht atë të Nurihan Seitit drejtuar të tjerëve.

Edhe kur anëtarët e Qeverisë së Prokurorëve u larguan nga mbledhja, për t'u mbledhur rreth orës 14.00 ose 15.00, përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk kanë lëvizur dhe kanë parë largimin e tyre njëri pas tjetrit.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese