Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen makabër të regjistruar të shtunën që lamë pas në qytetin e Pogradecit. Sipas asaj që policia tha më herët ngjarja ndodhi për motive të dobëta, ku pas një debati Denis Meçe dhunoi për vdekje 42-vjeçarin, Egli Proga.
Së fundmi, “Top Channel” ka zbuluar dhe shkakun e vërtetë të sherrit mes dy pogradecarëve. Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja Dorjana Bezati, mësohet se autori 29-vjeçar i kishte vendosur “gjobë” viktimës, duke i kërkuar atij xhiron ditore të lokalit të tij.
Pas ky i fundit kishte refuzuar duke u shprehur se ka dy fëmijë për të mbajtur. Denis Meçe më pas e ka dhunuar brutalisht 42-vjeçarin dhe është larguar. Fatkeqësisht Egli Proga humbi jetën në spital, pasi goditja me gusht në anën e majtë të kokës ishte fatale për 42-vjeçarin i cili la jetimë dy fëmijët e mitur.
Sipas akuzave të ngritura nga motra e 42-vjeçarit, ambulanca u vonua për gati 30 minuta dhe u bë shumë vonë për të shpëtuar vëllain e saj. Ajo tha ditën e djeshme se efektivët e Policisë nuk lejuan familjarët që të dërgonin vetë në spital Progën.
Ndërkohë, ditën e sotme, 13 gusht, Gjykata e Korçës vendosi masën “arrest me burg” për 29-vjeçarin, Denis Meçe, mbi të cilin rëndon akuza "vrasje nga pakujdesia".
Ndërsa, për tre të arrestuarit e tjerë lidhur me këtë ngjarje, Voltan Shulkun, Arian Manellarin e Leonidha Gucen, togat e zeza të qytetit juglindor vendosën masën “detyrim paraqitje”.
“Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 13.08.2024 ora 11:00 seanca me objekt: "Vleftësim arresti në flagrancë, caktim mase sigurimi", ndaj shtetasve D.M, V.SH, A.M, L.G ku gjykata në përfundim vendosi: Pranimin e kërkesës.
1- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit "Arrest në burg" ndaj shtetasit D.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Vrasja nga pakujdesia" parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal.
2- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit "Detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" ndaj shtetasit V.Sh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Moskallëzimi i krimit" parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
3-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit "Detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" ndaj shtetasit A.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Moskallëzimi i krimit" parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
4-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit "Detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" ndaj shtetasit L.G, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Moskallëzimi i krimit" parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Korçës.
Sherri që i mori jetën Egli Progës ndodhi tre ditë më parë në qytetin e Pogradecit. Fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale pasi Meçe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por pas hetimeve të thelluara të bluve rezultoi se nuk ishte e tillë, por kishim të bënim me një vrasje.
Në media u aludua se kjo ngjarje fillimisht është mbajtur e fshehtë nga organet e Policisë dhe nuk është bërë me dije që në momentet e para se 42-vjeçari humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga dhuna dhe jo sepse u rrëzua aksidentalisht, ashtu si dhe u raportua në fillim.
Lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtuesi Madhor, Muhamet Rrumbullaku, i ciki ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit.
Rrumbullaku dha urdhër të prerë që të vlerësohen të gjitha reagimet e punonjësve të Policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë.