Prokuroria e Posaçme ka zbërthyer dy grupe kriminale që vepronin të lidhura me njëri-tjetrin për grumbullimin e bizhuve dhe floririt të vjedhur në Francë dhe më pas transportimin e tyre në Shqipëri, ku u shitej argjendarive të ndryshme.
1- Grupi i parë, përbëhet nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Florian Baku, personat e proceduar nga autoritetet franceze të drejtësisë Sokol Briant (alias Brahimi, alias Balili), Dritan Ulqinaku, etj.
Nga hetimet e kryera nga autoritetet franceze ka rezultuar e provuar se Sokol Briant, pas grumbullimit në mënyrë të vazhdueshme të sendeve të vjedhura (nga bashkëpunëtorët e tij), si dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale në Hotel d’Alsace (i cili menaxhohej po nga Sokoli), i’a dorëzonte të pandehurve Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Dritan Ulqinaku, të cilët punonin si shoferë në itinerarin Shqipëri-Francë-Shqipëri, dhe merrnin përsipër transportin e tyre në mënyrë të fshehtë, kundrejt fitimit nga 3%-7%.
2- Grupi i dytë, përbëhet nga të pandehurit Sokol, Elda, Egi Idrizaj, dhe bashkëpunëtorët e tyre të proceduar nga autoritetet franceze, të cilët kanë ushtruar veprimtarinë e paligjshme kriminale nëpërmjet transportimit të shumave monetare të padeklaruara nga Shqipëria-Francë, dhe blerjes së produkteve të luksit nga firmat më prestigjioze po në Francë. Blerje të cilat janë realizuar si me para në dorë, ashtu dhe nëpërmjet kartave bankare (të hapura në emrin e tyre si dhe të lidhjeve të tyre shoqërore).
Këto produkte janë transportuar nga të pandehurat Elda dhe Egi Idrizaj, nga të pandehurit Dejvi Skënderaj dhe Bora Idrizaj, si dhe nga kompanitë e transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, të cilat janë futur kontrabandë në Shqipëri.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se, të pandehurit Idrizaj, për interesa të aktivitetit të paligjshëm kriminal merrnin shuma të konsiderueshme monetare me përqindje (deri në 10% në muaj), nga persona të cilat nuk ishin të licencuar për të kryer një aktivitet të tillë, e më konkretisht nga të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda, Vangjush Kashara dhe Tomorr Barruti, të cilët kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”.
Drejtuesit e kompanive të transportit “Erdisa Tours”, “Altini Travel” dhe “Tani Tours”, respektivisht të pandehurit Agustin Mesuli, Altin Doda dhe Dritan Ulqinaku, kanë marrë përsipër transportin e produkteve të veprës penale dhe dorëzimin e tyre të sigurt me garanci 100% në Shqipëri, duke patur mbështetjen e autoriteteve policore në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, e më konkretisht të pandehurve Gentian Aga dhe Alid Shehi, të cilët me veprimet ose mosveprimet e tyre në kundërshtim me ligjin, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar si krim nga neni 248 i Kodit Penal.
Bazuar edhe në aktet e administruara nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadrin e dosjes “Shkodër42”, ka rezultuar se gjatë periudhës objekt hetimi janë konstatuar mbi 300 vjedhje të kryera, dhe sendet e vjedhura (kryesisht bizhuteri prej ari, orë dore, pajisje elektronike etj), i’a kanë rishitur subjektit Sokol Briant, në ambientet e hotelit ku punonte në Lyon-Francë, dhe disa prej këtyre produkteve të krimit, janë sekuestruar në banesat e të pandehurve.
Gjatë kontrolleve të ushtruar në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
- 59.100 Euro; 10 000 USD kanadez; 57 ora dore (Hamilton, Omega, Rolex, Baume & 7Mercier, Cartier, Breitling, Hublot Geneve, Edifice); 1 (një) aparat fotografik; 9 laptopë; 7 I-Pad; 3 tablet; 28 aparate celularë; 2 kompjutera; 33 copë bizhu dhe 2 monedha ari; 1 stilolaps Cartier; 2 Stilografë; sasi e konsiderueshme syze dielli të markave të ndryshme (DG; Louis Vuitton; Ray Ban; Giorgio Armani; Versace); sasi e konsiderueshme parfume dhe kremrash (Versace Dylon Blue, Dolce Gabbana, Hermes, Avon Glamour, Asabi, Channel Blue, Armani “Si”, Louis Vuitton); karta të ndryshme bankare; veshje të markave të ndryshme (Dior, Christian Louboutin, Christian Dior, Hermes, Moncleir, Balenciaga); çanta apo këpucë të firmave prestigjoze etj.
Janë proceduar nga autoritetet franceze të drejtësisë 13 persona, dhe gjatë kontrolleve të ushtruara nga këto autoritete janë sekuestruar: sasia 305,000 Euro (230,000 Euro në kartëmonedha, dhe pjesa tjetër në llogaritë e personave të proceduar); 115 copë bizhu të ndryshme; 50 orë dore të markave të ndryshme luksoze etj.
Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme ka proceduar me pushimin e hetimeve në ngarkim të personave nën hetim Agustin Mesuli, Altin Doda, Sokol Idrizaj, Elda Idrizaj, Egi Idrizaj dhe Bora Idrizaj, për kundërvajtjen penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, të parashikuar nga neni 179/a i Kodit Penal, pasi bazuar në nenin 6 të Ligjin Nr. 33/2024 “Për dhënie amnistie”, kjo kundërvajtje, përjashtohet nga ndjekja penale
Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 52 të vitit 2022, numërtimin si procedimi penal Nr.52/2 i vitit 2024, dhe vijimin e hetimeve.