
Rastet me gripin e ri të shpendëve janë duke u shtuar. Shërbimi veterinar ka konfirmuar praninë e gripit të shpendëve H5N1 në 20 shpendë në një banesë private në fshatin Valare të Gjirokastrës dhe si rrjedhojë futjen në karantinë të kësaj zone.
Përmes një reagimi publik shërbimi veterinar bën me dije se pas pas konstatimit të parë të ngordhjeve të shpendëve, veterinerët kanë kryer asgjësimin e pulave duke çuar mostrat e tyre për analiza të posaçme në ISUV.
Përgjegjësja e sektorit veterinar, Flora Zharkalli ka thënë se nga përgjigja e analizave ishte pozitive për këtë virus.
“Na u kthye përgjigjja që kafsha ishte pozitive për H5N1 ose influencë aviare. U ngrit grupi i emergjencës sipas urdhrit të ministres. Grupet e punës kryen asgjësimin e të gjitha kafshëve që ishin të gjalla ndërkohë që u konstatua se kishin ngordhur edhe 4 kafshë të tjera. Masat në rastin e influencës aviare përcaktojnë vendosjen në karantinë të një zone prej 3 km dhe ne në këtë zonë kemi vetëm fshatin Valare të cilin e kemi në kontroll të plotë dhe kryhen vizita në ferma pothuajse dy herë në ditë. Gjithashtu janë përcaktuar edhe zonat e mbikëqyrura në të cilat përfshihen fshatrat, zonat, njësitë që janë në rrezen 10 km nga vatra”, thuhet ndër të tjera në reagimin e plotë të përgjegjësve veterinare.
Sipas planit të kontigjencës zona e fshatit Valare do të qëndrojë në karantinë për një muaj ndërsa nuk ka asnjë person të infektuar prej kësaj sëmundjeje. Në të gjithë rrethin e Gjirokastrës numërohen rreth 25 mijë shpendë ndërsa ky ishte rasti i parë i shfaqjes së influencës aviare në këtë territor.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe veterineri Krenar Veli i cili u shpreh: “Grupet e veterinerëve të kontrollit dhe të shërbimit janë në terren duke bërë riregjistrimin e fermave të shpendëve të oborrit për një territor 10km. Dëmi kryesor është dëmi ekonomik që shkakton ngordhjen dhe eliminimin e të gjitha shpendëve por është i rrezikshëm edhe për njerëzit që manipulojnë me shpendin e infektuar prandaj ju bëjmë thirrje qytetarëve në rast se hasin një shpend të ngordhur duhet të njoftojnë veterinerin e njësisë administrative.”