
Një organizatë shqiptare e narkotrafikut me bazë në Bologna është shkatërruar nga policia italiane, e cila kishte krijuar një rrjet të fuqishëm trafiku droge, duke importuar kokainë dhe hashash nga portet evropiane.
Grupi, që drejtohej nga dy shqiptarë (xhaxha dhe nip), operonte në disa shtete evropiane dhe përdorte komunikime të koduara në sistemin Sky ECC për të shmangur ndjekjen nga autoritetet.
Operacioni ndërkombëtar, i realizuar më 19 mars, ka çuar në arrestimin e 5 personave, ku pjesë ishin 4 shqiptarë dhe një tunizian, të moshave 30 deri në 50 vjeç.
Hetimet kanë zbuluar se banda kishte importuar rreth 41.5 kilogramë kokainë dhe 280 kilogramë hashash vetëm gjatë periudhës prill-nëntor 2020, me një vlerë tregu prej 5 milionë euro. Pjesa më e madhe e fitimeve të paligjshme u riinvestuan në Shqipëri për blerjen e më shumë lëndëve narkotike.
Hetimet e zhvilluara nga policia italiane, në bashkëpunim me autoritetet evropiane, kishin si sfidë kryesore deshifrimin e mesazheve të koduara të anëtarëve të grupit, të cilët përdornin kriptofona të sigurt. Në total, janë nën hetim 19 persona, ndër të cilët një 90-vjeçar italian që vepronte si korrier.
Operacioni u mbështet nga skuadrat e policisë në qytete të ndryshme të Italisë dhe Spanjës dhe ka rezultuar në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme parash, armësh dhe makinash. Ndërkohë hetimet vazhdojnë për zbardhjen e të gjithë rrjetit të trafikut të drogës.