Disa shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar. Nga operacioni antidrogë, policia italiane ka arrestuar gjithsej 8 persona, 5 prej tyre kanë mbetur në burg, 2 janë vendosur nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe 1 person i është vendosur masa “detyrim paraqitje”.
Kjo organizatë vepronte mes Shqipërisë dhe Italisë ndërsa si pikë kryesore të veprimtarisë kishte trafikimin e lëndëve narkotike ku brenda 6 muajve kanë transportuar drejt brigjeve të huaja lëndë narkotike me vlerë mbi 5 milionë euro. Gjithashtu mbi këtë grup rëndon dhe akuza e pastrimit të parave me prejardhje nga aktivitete kriminale, raporton “La Sicilia”.
Hetimet e koordinuara nga DDA, kanë zbuluar se këta persona kishin lidhje dhe me banda të tjera me degë në Belgjikë, Holandë si dhe në Amerikën e Jugut. Nga këto shtete, ky grup kishte marrrë sasi të konsiderueshme droge për ta shpërndarë më pas në zonat e Milanos dhe Modenës.
Gjithashtu policia italiane po bën hetime dhe në Shqipëri për të zbuluar të gjitha lidhjet që anëtarët e kësaj bande kanë me grupet e treja në vendin tonë.