Arnisa Këlliçi, gjyqtarja e Tiranës që u bë e njohur për opinionin publik muaj më parë kur u mor në mbrojtje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe më pas nën hetim nga Prokuroria sepse rezultoi se e kishte shkruar vetë letrën kërcënuese për fëmijët, premton një libër bombastik.
“Gjyqtari që nuk heshti” ose “The unsilenced judge” është libri më i fundit që pritet të botohet së shpejti në dy gjuhë shqip dhe anglisht, me autore Arnisa Këlliçin.
Përmes disa shënimeve të fundit në rrjetet e saj sociale, gjyqtarja thotë se po shkruan këtë libër dhe ndan copëza prej tij, ashtu siç ka publikuar dhe një fotot të shefes së qeverisë së gjyqësorit.
Naureda Llagami shihet teksa merr një dhuratë, në dukje një parfum i shtrenjtë, ndërsa fotografia mban datën 4 Janar 2024 dhe publikohet vetëm sot nga kolegia Arnisa Këlliçi. "Kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor…duke marrë një dhuratë", shkruan ajo mbi fotot.
Sipas Kodit Etik të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i drejtuar nga Naureda Llagami, njerëzve të drejtësisë u ndalohet të pranojnë dhurata dhe benefite të cilat mund të kompromentojnë paanshmërinë e tyre.
Megjithatë, nuk dihet nëse fotografia e publikuar nga gjyqtarja Arnisa Këlliçi është rasti, por vetë shefja e qeverisë së gjyqtarëve duhet të sqarojë përmbajtjen e saj dhe "dhuratën".