
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, organi i vetëm përgjegjës që vendos për kushtetutshmërinë e akteve dhe ligjeve, ka vendosur të rrëzojë pjesërisht ligjin për tatimin e profesioneve të lira. Ligji i hartuar nga Qeveria shqiptare është kundërshtuara nga grupet e interesit dhe sot është rrëzuar.
Sipas dispozitave ligjore, nga 1 janari i këtij viti ka nisur zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.
Bizneset duhet të parapaguajnë nga 600 deri në 1,000 euro në muaj tatim për vitin 2024, mbështetur te të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara për 2023. Kontabilistët dhe juristët vlerësuan që jo vetëm përmbajtja juridike e vlerësimeve është e gabuar, por edhe llogaritja për këstet e parapagimit të tatimit.
Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese pasi ka dëgjuar palët, ka vendosur të rrëzojë pjesërisht këtë ligj.
"Cënohet liria e veprimtarisë ekonomike, për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike, në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës, si dhe parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe në veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15% ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore", u shpreh kryetarja e kësaj gjykate, Holta Zaçaj.
Ligji i ri parashikonte zbatim në dy periudha. Pas zbritjes së shpenzimeve, fitimet e të vetëpunësuarve, personave fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira, nga 1 janari 2024 taksohen me normat 15% dhe 23%. Ndërsa bizneset e tjera të vogla do të vijojnë të kenë tatim zero deri më 31 dhjetor 2029.
Për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor që u bëhet kategorive të bizneseve kërkohej shfuqizimi i nenit 69 që përcakton përjashtimin e bizneseve të tjera nga taksimi dhe të listës së shërbimeve të profesioneve të lira që u përfshinë në taksimin e ri.
Ligji për tatimin mbi të ardhurat u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti dhe në muajin dhjetor u botua në Fletoren Zyrtare. Ai përfshin 26 lloje aktivitetesh, duke nisur nga shërbimi IT, kontabiliteti, avokatët, arsimtarët, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit, operatorët turistikë etj.
Në total, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor përfshihen deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira.
MFE llogariti se deri në 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë) përfshihen në fashën e të ardhurave vjetore deri në 14 milionë lekë në vit dhe tatohen me normë 15%.
Deputetët e opozitës dhe përfaqësues të grupimeve të profesionistëve të lirë që preken nga ky ligj, kontabilistët dhe avokatët pretenduan në seancë se ligji krijon pabarazi dhe diskriminim para ligjit për kategoritë e ndryshme që do të tatohen nga këto ndryshime, duke krijuar pasiguri juridike.
© Newsbomb.al