Hapësire reklamuese

Aktualitet

Gjykata e Posaçme u komunikon akuzat e reja anëtarëve të grupeve që goditi SPAK, Shullazi nuk pranon të shkojë në gjyq

Shkruar nga Newsbomb

Gjykata e Posaçme u komunikon akuzat e reja anëtarëve të

Togat e zeza u kanë komunikuar akuzat e reja anëtarëve të grupeve kriminale që goditi Prokuroria e Posaçme tre ditë më parë në kuadër të një megaoperacioni të koordinuar me partnerët. Dje u dhanë masat e sigurisë për 9 shtetas të tjerë, ndërsa sot ishin planifikuar të jepeshin 5 të tjerat.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për Enver Divën, Gjergj Cukalin të konsideruar si "i forti i Myslym Shyrit", Albert Zajën dhe Besian Xhixhën.

Ndërkohë, po paraditen e kësaj të hëne do të jepej masa e sigurisë dhe për Emiljano Shullazin, një ndër eksponentët më të fuqishëm të botës së krimit, por ai nuk ka pranuar që të marrë pjesë në seancën gjyqësore.

Togat e zeza kanë urdhëruar që në orën 14.00, të bëhet shoqërimi i tij i detyrueshëm në seancë për t'u njohur me provat dhe akuzën e re, që përfaqësohet nga prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Alfred Shehu.

PËRDITËSIM: Ora 14.30, Gjykata e Posaçme i njofton Emiljano Shullazit masën e re të sigurisë ndaj tij, "Arrest në burg", për ngjarjet e 3-4 viteve më parë kur ai është angazhuar nga qelia për të siguruar informacione për vrasjen e kundërshtarëve të Ervis Martinaj dhe Arben Ndokës.

Të pestë këta shtetas ndodhen të arrestuar dhe dënuar për ngjarje të tjera kriminale, por në kuadër të megaoperacionit të SPAK ku u lëshuan 50 urdhër-arreste, kanë dalë në ditë prova dhe fakte të reja për implikimin e tyre në atentate.

Masat e reja të sigurisë u janë njoftuar dje dhe shtetasve: Naim Stafuka, Satilno Basho, Robert Laçi, Deivis Bajramaj, Viktor Imeraj, Drianto Bardhi, Armando Ndreca, Miri Bruli dhe Blerim Abazi.

Në këtë operacion, i cili thuhet se ka zgjatur më shumë se 20 orë dhe ku janë angazhuar 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol, në bashkëpunim me SPAK bastisën shtëpitë e të dyshuarve kryesorë të Prokurorisë për përfshirje në rrjete kriminale të lidhura me vrasje apo trafikim të lëndëve narkotike.

SPAK në kuadër të 4 procedimeve penale ka evidentuar kryerjen e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje  gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.

Në total janë lëshuar 50 urdhër-arreste, ndërsa janë kryer veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi, ku u arrestuan 14 persona ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milion Euro.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese