Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Gjykata e Posaçme dënon me 36 vite burg trafikantët e "Shpirtit", mbushën me drogë Italinë, Malin e Zi dhe Spanjën

Shkruar nga Newsbomb
Gjykata e Posaçme dënon me 36 vite burg trafikantët e
Pamje nga operacioni nderkombetar "Shpirti"

Paul (Agustin) Deda, Leonidha Sejdiaj dhe Hamid Seferi janë dënuar nga Gjykata e Posaçme me 36 vite burg në total. Ata akuzohen dhe janë shpallur fajtorë për trafikimin e qindra tonëve drogë drejt Italisë, Spanjës dhe Malit të Zi, disa vite më parë.

Secili prej tyre ka marrë dënim me 12 vite burg, por për shkak se kanë pranuar gjykimin e shkurtuar, do të qëndrojnë në qeli vetëm 8 vite. Pra, në total 24 vite burg në total për Dedën, Sejdiajn dhe Seferin.

Tre vite më parë, Prokuroria e Posaçme drejtoi një operacion të madh bashkë me homologët italianë, për të zbardhur trafikimin e qindra tonëve drogë me gomone drejt Italisë. 28 persona u arrestuan, mes tyre zyrtarë të lartë të policisë, policë, administratorë lokalë dhe prokurorë.

Bëhet fjalë për një grup që merrej me trafikun e ndërkombëtar të drogës, nga Shqipëria, në Itali, Malin e Zi dhe Spanjë. Bëhet fjalë për operacionin ndërkombëtar që mori emrin "Shpirti".

Njoftim për media - Gjykata e Posaçme, datë 20 Shtator 2024

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Aurel Arapi, Ilir Përdeda dhe Ardit Mustafaj, me vendimin Nr. 51, datë 20.09.2024 vendosi:

1- Deklarimin fajtor të të pandehurit Paul (Agustin) Deda për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga neni 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

- Deklarimin fajtor të të pandehurit Paul (Agustin) Deda për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

- Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për disa vepra penale, dënimin e të pandehurit Paul (Agustin) Deda, me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

- Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Paul (Agustin) Deda i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.

- Vuajtja e dënimit për të pandehurin Paul (Agustin) Deda do t’i fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe dënimi do të kryhet në një IEVP te sigurisë së lartë.

2- Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonidha Sejdiaj për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikeve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga neni 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

- Deklarimin fajtor të të pandehurit Leonidha Sejdiaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

- Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për disa vepra penale, dënimin e të pandehurit Leonidha Sejdiaj me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

- Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Leonidha Sejdiaj i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.

- Vuajtja e dënimit për të pandehurin Leonidha Sejdiaj do të fillojë nga dita e arrestimit dhe do të kryhet në një IEVP të sigurisë së lartë.

3- Deklarimin fajtor të të pandehurit Hamid Seferi për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal dhe në lidhje me nenin 334/1 të K.Penal dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

- Deklarimin fajtor të të pandehurit Hamid Seferi per kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

- Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për vepra penale, dënimin e të pandehurit Hamid Seferi me një dënim të vetëm prej 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

- Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Hamid Seferi i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.

- Vuajtja e dënimit për të pandehurin Hamid Seferi do të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë dhe do të kryhet në një IEVP të sigurisë së lartë.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese