Apeli i GJKKO ka vendosur që të lërë në fuqi masën “arrest me burg” të ish-drejtorëve të bashkisë Tiranë, Mariglen Qato dhe Redi Molla, të akuzuar për dosjen “5D”.
Gjykata e Lartë ka vendosi të pranonte kërkesën e dy pronarëve të kompanisë "5D Konstruksion", duke urdhëruar Apelit që të ribëjë gjyqin për masën e sigurisë ndaj tyre, por me të tjerë gjyqtarë.
Pas rishikimit të çështjes është marrë vendimi që të lihen në fuqi masa “arrest me burg” për Qaton dhe Mollën.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Nertina Kosova, sot më 07.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 58 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 18, datë 03.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për personat nën hetim R.M. dhe M.Q, në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimeve nr. 28, datë 28.03.2024 dhe nr. 35, datë 30.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për personat nën hetim Mariglen Qato dhe Redi Molla”, thuhet në njoftim.
Ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës akuzohen se janë pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, dhe kanë fituar disa tendera në vlerë miliarda lekë.
Prokuroria e Posaçme vendosi në korrik të këtij viti në sekuestro preventive kompaninë “5D Konstruksion”, me ortakë të vërtetë dhe pronarë “de facto” ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Mollën dhe Mariglen Qato, pasi dyshohet se ka përfituar tendera abuzivë.