Rigels Rajku, reperi i njohur shqiptar me emrin e artit Noizy, do të dalë nga qelia dhe nuk do të ekstradohet në Kosovë përkohësisht. Togat e zeza kanë kërkuar që ai të lërë 50 milionë lekë garanci pasurore, në këmbim të lirisë.
Pas 10 ditësh në qeli, Noizy do të dalë me vendim të Gjykatës së Durrësit, sapo garancia pasurore të dorëzohet, sipas rregullave ligjore brenda 5 ditësh. Për DJ Crax nuk ka asnjë vendim.
Kërkesa për ekstradimin e tij dhe DJ Bahtjar Bajraktari është ende në fuqi, por kundrejt garancisë pasurore reperi nuk do të qëndrojë në qeli deri ditën e vendimit. Megjithatë, vendimi është i apelueshëm në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Rigels Rajku (Noizy) bashkë me DJ e tij Bahtjar Bajraktari dhe reperin Arkimed Lushaj, akuzohen nga Prokuroria e Pejës në Kosovë se kanë dhunuar barbarisht dy javë më parë boksierin Med Iseni dhe kunatin e tij, në një klub nate.
Këngëtari dhe DJ Crax u arrestuan nga Njësia speciale policore FAST Albania teksa shkonin në Shëngjin për koncert, kurse reperi Stresi vijon të jetë ende në kërkim. Ai ka thënë se nuk do të dorëzohet, sepse e konsideron padrejtësi atë që u është bërë dy miqve të tij.
Brenda pesë ditëve nga data e sotme, 16 Gusht 2024 sipas vendimit të Gjykatës së Durrësit, reperi Rigels Rajku do të qëndrojë në qeli derisa të dorëzohet garancia pasurore prej 50 milionë lekësh. Menjëherë më pas, brenda 24 orëve duhet të njoftohet dhe prokurori, i cili mund të zgjedhë nëse do të pranojë lirimin e këngëtarit, apo qëndrimin e tij në qeli deri në momentin e ekstradimit.
© Newsbomb.al