Hapësire reklamuese

Aktualitet

Gjuha e urrejtjes e përdorur ndaj komunitetit LGBTI+, reagon Avokati i Popullit

Shkruar nga Newsbomb
Gjuha e urrejtjes e përdorur ndaj komunitetit LGBTI+, reagon Avokati i
 

Avokati i Popullit ka reaguar e shqetësuar në lidhje me gjuhën e përdorur ndaj komunitetit LGBTI+ në përgjithësi dhe anëtarë të saj në veçanti.

Ky reagim vjen pasi ka pasur komente të shumta në rrjetet sociale pas martesave së dy vajzave në tarracën e Bashkisë së Tiranës.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, thuhet se “Aleanca kundër gjuhës së Urrejtjes”, e përbërë nga Avokati i Popullit, i kërkon të gjithë aktorëve shtetërorë, politikanëve/politikaneve, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të gjerë sidomos të rinjve/të rejave të jenë së bashku për avancimin në përmbushjen e objektivave të Axhendës 2030 dhe plotësimit të angazhimeve për t’u bërë pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian.

Postimi i plotë:

 “Aleanca kundër gjuhës së urrejtjes”, e përbërë nga Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Shoqata “Këshilli Shqiptar i Medias”, vëren me shqetësim se prej disa ditësh në platformat sociale dhe media, po përdoret një gjuhë urrejtjeje e shoqëruar me një fjalor fyes dhe duke përdorur krahasime denigruese, që shënjestron komunitetin LGBTI+ në përgjithësi dhe anëtarë të saj në veçanti, por dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

“Aleanca kundër gjuhës së urrejtjes”, në monitorim të situatës ka vënë re se përdorimi i gjuhës së urrejtjes, ofendime dhe deri në kërcënime ndaj anëtarëve të komunitetit, nuk kanë qenë të lidhura vetëm me disa aktivitete të kryera nga organizata të shoqërisë civile në kuadër të fushatës IDAHOT 2024, por dhe me ngjarje që nuk kanë qenë të lidhura me to.

“Aleanca kundër gjuhës së Urrejtjes”, i sjell në vëmendje cilitdo, se si qytetarë/qytetare të këtij vendi janë të gjithë përgjegjës/e për zhvillimin e demokracisë dhe përparimin, dhe si të të tillë duhet të tregojnë vlerat e vërteta të qytetarisë në përputhje me të drejtat e njeriut, duke bërë të papranueshme fenomene të tilla si bullizmi, fyerjet, stigmatizimi e diskriminimi për shkak të të qënit ndryshe, duke kuptuar se përdorimi i këtyre formave, çon në dhunë dhe krime urrejtjeje jo vetëm ndaj individit por grupeve të ndryshme dhe në mënyrë indirekte godet vetë shoqërinë.

“Aleanca kundër gjuhës së Urrejtjes” thekson se respektimi i të drejtave të një komuniteti të caktuar, nuk çon pashmangshmërisht në shkeljen e të drejtave të shumicës ose të një komuniteti tjetër.

“Aleanca kundër gjuhës së Urrejtjes”, i kërkon institucioneve përgjegjëse të marrin të gjitha masat ndaj personave të cilët nxisin gjuhë urrejtje, duke patur parasysh se shpesh duke qenë personazhe publike apo të veshur me pushtet, kjo sjell një dëm të pariparueshëm në të kuptuarit e pasojave të dëmshme që sjellin tek një masë e madhe popullsisë.

Në një kohë kur prej mëse 75 vitesh, Deklarata për të Drejtat e Njeriut, thekson se “Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta”, kur parimet themelore për të drejtat e njeriut janë pjesë e Kushtetutës sonë, Aleanca kundër gjuhës së Urrejtjes, i kërkon të gjithë aktorëve shtetërorë, politikanëve/politikaneve, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të gjerë sidomos të rinjve/të rejave të jenë së bashku për avancimin në përmbushjen e objektivave të Axhendës 2030 dhe plotësimit të angazhimeve për t’u bërë pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese