
Gjykata e Posaçme i ka lënë tre muaj kohë Prokurorisë së Posaçme që të hetojë Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejkon, lidhur me skandalin e mikrokredive, “pre” e së cilës kanë rënë me mijëra familje shqiptare.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datën 11 qershor 2024, paraqiti pranë GJKKO-së kërkesën për pushimin e çështjes për Gent Sejkon, i cili akuzohej për veprën penale “shpërdorim detyre”, duke pretenduar se fakti i paraqitur nuk përbën vepër penale.
Por, këtë të mërkurë gjyqtarja Flora Hajredinaj vendosi që të rikthejë në SPAK aktet për hetime të mëtejshme.
“Kthimin e akteve të procedimit penal nr.1360/2022 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve, prokurores Dorina Bejko, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Gjykata e Posaçme caktoi seancën gjyqësore paraprake më datë 16.10.2024 ora 10:00.
Kujtojmë se kreu i Përmbaruesve, Tedi Malaveci, e kishte kallëzuar Sejkon që në vitin 2022 për krijimin e skemave të mashtrimit me mikrokredi, që sipas tij u mundësuan nëpërmjet manipulimit të një rregulloreje të Bankës Qëndrore, që lejonte blerje-shitjen e kredive prej kompanive mikrofinance me në krye Micro Credit Albania. Prokuroria e Tiranës “mbylli sytë” dy vjet duke hetuar dhe më pas, në fillim 2024 e pushoi çështjen e guverntorit, por pak muaj më pas plasi skandali i mijëra të mashtruarve nga MCA dhe Final. Plasi skandali i mikrokredive.
Të dyja kompanitë u mbyllën publikisht në 23 Maj nga vetë Guvernatori Sejko për arsye të “reputacionit” të cenuar të pronarëve të këtyre mikrofinancave. Në fakt, pronarët e të dy kompanive Micro Credit Albania dhe Final, përkatësisht Elda Ibro dhe Arben Meskuti, u arrestuan dhe ndodhen në burg për krijimin e skemave piramidale me pasoja të rënda, për një çështje tjetër penale të hapur nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020, që po hetohet ndërkohë nga një grup tjetër prokurorësh të Prokurorisë së Tiranës.
Një çështje e tretë, e po kësaj prokurorie, që lidhet me mashtrimet me kredi e “delegoi” Guvernatorin Sejko dhe disa eksponentë të Bankës së Shqipërisë për në SPAK gjatë muajit maj të këtij viti. SPAK vazhdoi hetimet e transferuara për këtë çështje me intensitet te larte.
Vendimi i Gjykatës:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 11.06.2024, Nr. Regj.Them 90, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: Kërkohet pushimi i çështjes penale nr.1360/2022 të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” së parashikuar nga neni 248 i K.Penal, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, bazuar në nenet 112, 75/a; 128, 128/a, pika 1, shkronja “b”, 131/2, 332/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale si dhe ligjit nr. 95 datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionin e institucioneve për të luftuar Krimin e Organizuar”, me vendimin Nr. 90, datë 10.07.2024, vendosi:
1. Deklarimin e pavlefshmërisë absolute të aktit “Kërkesë për pushimin e procedimit penal nr.1360, të vitit 2022 të Prokurorit, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, që ka si objekt hetimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj të kallëzuarit Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
2. Kthimin e akteve të procedimit penal nr.1360/2022 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve, prokurores Dorina Bejko, në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
3. Veprimet hetimore të urdhëruara në pjesën arsyetuese të këtij vendimi duhet të kryhen brenda 3 (tre) muajve.
4. Caktimin e seancës gjyqësore paraprake datë 16.10.2024, ditë e mërkurë, ora 10:00.
5. Urdhërohet sekretaria e gjykatës t’i njoftojë vendimin Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
6. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda afatit ligjor.
Sondazh