
Gjykata e Lartë ka kthyer vendimin e Apelit të Posaçëm për rigjykim lidhur me ankimimin e Arbër Veliajt, vëllai i kryebashkiakut Erion Veliaj mbi materialet e sekuestruara në ambientet e tij nga agjentët e BKH me urdhër të SPAK në dhjetor të 2024.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Albana Boksi, Medi Bici dhe Sokol Binaj, të ciëlt vendosën që çështja të rikthehet për rigjykim në Apel me të njëjtën trupë gjykuese.
Do të jetë përsëri gjyqtari Eugert Pëllumbi që do të marrë në rishqyrtim kërkesën e Arbër Veliajt, i cili ka kundërshtuar kontrollet e ushtruara më 6 dhjetor të vitit të kaluar në banesën, zyrën dhe dy ambiente të tjera në pronësi të tij nga ku u sekuestruan një sërë materialesh.
Këto kontrolle u kryen si rezultat i një hetimi të nisur për kryebashkikaun Veliaj dhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.
“Prishjen e vendimit nr. 51 (87-2025-67), datë 28.02.2025, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë, tek i njëjti trup gjykues”, thuhet në vendim.