
Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar datën e seancës së dytë gjyqësore, për 5 të arrestuarit e tjerë, të mbetur nga grupi prej 14 personash që u vunë në pranga gjatë operacionit të SPAK, dy ditë më parë.
Në njoftimin e publikuar nga GJKKO-ja, thuhet se seanca e gjyqit për 5 të arresuarit e tjerë do të zhvillohet ditën e hënë në orën 10 të mëngjesit.
“Gjykata me vendimin nr50, dt. 19.05.2024 vendosi vijimin e mases se sigurimit arrest ne burg per 9 te arrestuar. Nderkohe, me dt. 20.05.2024 ora 10:00 do te zhvillohet seanca gjyqesore per 5 te arrestuar”, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.
Më herët, raportuam se GJKKO vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 9 nga 14 të arrestuarit e SPAK.
Në burg janë lënë Naim Stafuka, Armando Ndreca, Robert Laçi, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Deivis Bajramaj, Drianto Bardhi, Miri Bruli dhe Blerim Abazi.
1- Naim Stafuka, vëllai i Enverit të zhdukur prej kohësh pa gjurmë. Burimet thonë se Durim Bami siguroi kushte për të vrarë Marklen Hakën dhe në këtë ngjarje u përfshi edhe Stafuka.
2- Satilno Basho, i skeduar më herët, vëllai i Tesi Bashos i skeduar gjithashtu dhe i arratisur nga burgu, masa i është komunikuar në burg.
3- Robert Laçi, porositësi i ekzekutimit të A.Gj, me datë 17 gusht të 2021 kundrejt shumës prej 20 mijë eurove, në zonën e fshatit Adriatik në Fushë Kuqe, por pa mundur ta eliminojë.
4- Dejvis Bajramaj
5- Viktor Imeraj, në burg për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lames, iu komunikua masa në burg.
6- Drianto Bardhi
7- Armando Ndreca, vëllai i deputetit Eduard Ndreca i arrestuar para disa javësh për kultivim droge në një stan në Lezhë, por brenda dy ditëve u la i lirë nga Gjykata.
8- Miri Bruli, kurshëriri i Pëllumb Gjokës, biznesmen i njohur në Velipojë.
9- Blerim Abazi
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme lëshoi 50 urdhër arreste në total, nga të cilat 14 u ekzekutuan në Shqipëri, dhe 6 të tjera në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.
Një pjesë e mirë e personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhër arrestet, ndodhen prej kohësh jashtë vendit. Në listën e atyre që janë në kërkim rezulton dhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka, i dyshuar si kreu i njërit prej grupeve.
Gjithashtu, pjesë e arrestimeve të SPAK është edhe Armando Ndreca, vëllai i një tjetër deputeti të PS, Eduard Ndreca, i cili më herët u la i lirë nga Gjykata për mungesë provash, pasi akuzohej se ishte i përfshirë në mbjelljen e lëndëve narkotike në një stan të Lezhës.
SPAK në kuadër të 4 procedimeve penale ka evidentuar kryerjen e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.
Në këtë operacion, i cili thuhet se ka zgjatur më shumë se 20 orë dhe ku janë angazhuar 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol, në bashkëpunim me SPAK bastisën shtëpitë e të dyshuarve kryesorë të Prokurorisë për përfshirje në rrjete kriminale të lidhura me vrasje apo trafikim të lëndëve narkotike.
Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi, ku u arrestuan 14 persona ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milion Euro.