Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka kthyer në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dosjen për avokatin Edvin Prifti.
GJKKO ka kthyer dosjen për plotësim hetimesh dhe i ka dhënë dy muaj afat SPAK që të plotësojë dosjen dhe të ribëjë kërkesën për kalimin në gjyq.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar, se i pandehuri Edvin Prifti, me detyrë Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, si mjek kardiokirurg, të paktën në shtatë raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Gjithashtu në momentin e arrestimit, nga kontrolli i banesës, dhe i zyrës së të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme monetare në CASH, për të cilat nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme, shuma të cilat dyshohet se janë produkt i veprimtarisë kriminale, dhe më konkretisht shumat prej 256.800 Euro, 7.600 Dollarë Amerikanë dhe 15.435.000 Lekë.
Në vijim të një hetimi të gjithanshëm dhe objektiv të këtij procedimi, është kryer një hetim i plotë pasuror dhe financiar, dhe në përfundim janë sekuestruar në gjashtë llogari bankare pranë Bankave të Nivelit të Dytë, edhe shuma monetare në vlerën prej 177.497 Euro, dhe 52.479.368 Lekë.
Shumat totale të sekuestruara gjatë hetimit paraprak janë 434.319 (katërqind e tridhjetë e katër mijë e treqind e nëntëmbëdhjetë) Euro, 67.914.368 (gjashtëdhjetë e shtatë milion e nëntëqind e katërmbëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë) Lekë, si dhe 7.600 USD.
Edvin Prifti, me detyrë mjek kardio-kirurg, pranë Shërbimit të Kardiokirurgjisë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, akuzohet për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.