Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Gentiana Sula mes akuzave dhe misionit historik, nga sulmet politike te dosjet e Sigurimit

Shkruar nga Newsbomb
Gentiana Sula mes akuzave dhe misionit historik, nga sulmet politike te dosjet e
Gentiana Sula

Pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, emri i Gentiana Sulës është përfshirë në një debat që ka shkuar përtej kufijve të drejtësisë, duke marrë trajtën e një narrative politike.

Spekulimet janë përqendruar te një blerje prone nga Veliaj në kompleksin "Kodra e Diellit" dhe më pas te emërimi i bashkëshortes së biznesmenit në postin e zëvendësministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Një lidhje e supozuar që, në mungesë të fakteve, duket më shumë si një përpjekje për të krijuar një histori sesa për të zbuluar të vërtetën.

Emërimi që kaloi përmes një procesi institucional

Në këtë vorbull akuzash dhe insinuatash, ka qenë vetë kryeministri Edi Rama ai që ka hedhur dritë mbi procesin e emërimit të Sulës në postin e zëvendësministres. Ai ka sqaruar se ky propozim nuk ka ardhur nga Veliaj, por nga Ilir Meta, në kohën kur Partia Socialiste dhe LSI ishin në koalicion.

Përtej deklaratave politike, fakt mbetet se çdo emërim në nivelet ministrore dhe zëvendësministrore bëhet përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM), një procedurë standarde dhe ligjore, që nuk mund të përkufizohet thjesht nga marrëdhëniet personale apo favorizimet.

"Në një akt-akuzë penale nuk mund të shkruash një hamendësim pa prova. Aty thuhet se Veliaj ka bërë zv/ministre gruan e një biznesmeni pasi ky e ka marrë me avion diku. Nuk di a ka pasur një udhëtim më parë, por të arrish në konkluzionin se ky ishte shkaku i emërimit do të thotë ose të mendosh sipas metodave të Sigurimit të Shtetit, ose të kesh të provuar bisedën që e vërteton këtë”, ka theksuar Rama.

Një diskutim i tillë, nëse do të bëhej me të njëjtat kritere për çdo emërim të kaluar apo të tanishëm, do të kërkonte të shtrihej edhe mbi qindra vendime të tjera politike që kanë pasur një dinamikë të ngjashme. Në këtë rast, përveç spekulimeve, nuk ka ende prova konkrete që të mbështesin akuzat.

Nga zëvendësministre në krye të një institucioni kyç

Përtej polemikave që e kanë vendosur emrin e saj në qendër të diskutimeve, Gentiana Sula sot drejton një prej institucioneve më të rëndësishme të kujtesës historike në Shqipëri: Autoritetin për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit (1944-1991). Ky institucion ka një rol kyç në zbardhjen e të shkuarës dhe përballjen me trashëgiminë e regjimit komunist.

Në drejtimin e saj, Autoriteti ka sjellë në dritë dokumente të rëndësishme, ka ndihmuar qytetarët të zbulojnë të kaluarën e familjarëve të tyre dhe ka kontribuar në procesin e dekomunistizimit të shoqërisë. Ky është një mision që ka një peshë shumë më të madhe sesa një debat politik momental.

Nëse ka diçka që mbetet e rëndësishme në këtë histori, është se përtej akuzave, përtej përplasjeve politike dhe përtej polemikave të ditës, puna e Gentiana Sulës në krye të Autoritetit të Dosjeve është një angazhim që prek të gjithë shoqërinë shqiptare. Dhe ndoshta, në fund, ky është vlerësimi më i rëndësishëm që duhet bërë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese