Operacioni anti-drogë i zhvilluar në Itali në bashkëpunim me Shqipërinë dhe Greqinë u njoftua ditën e djeshme nga Interpol Tirana. Në total u arrestuan 13 shtetas pjesë e grupit kriminal të trafikimit të drogës, tre nga të cilët shtetas shqiptarë të arrestuar në qytetin bregdetar, Vlorë.
Gazetarja Anila Hoxha ka treguar se pjesë e grupit kriminal ishin shqiptarë, italianë dhe arabë të cilët merreshin me trafikun e kokainës dhe kanabisit.
“Bëhet fjalë për grup të miksuar jo vetëm me shqiptarë, por edhe italianë dhe arabë të cilët kishin formuar një vatër të shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit me qendër në Bologna të Italisë. Deri tani janë arrestuar 11 persona. Hetimi është kryer nga drejtësia italiane. Aksioni këtu në Shqipëri është organizuar nga policia e shtetit dhe forcat operacionale ndërkohë që në Itali po ekzekutoheshin urdhrat e tjerë të masave të sigurimit “arrest me burg”– është shprehur Hoxha.
Tre të arrestuarit në Vlorë, dy prej të cilëve vëllezër , Floriant dhe Ledjon Muho dhe Landi Kalemaj shërbenin për të transportuar drogën. Shqiptarët shërbenin si korrierë të lëndës narkotike që trafikohej nga Italia në vende të tjera të Europës.
“Në Shqipëri kërkohej arrestimi i tre personave që konsiderohen si korrierë të grupit kriminal në fushën e narko-trafikut. Në Itali është sekuestruar 20 kg kokainë”– shtoi gazetarja.
Ndaj tre shqiptarëve të arrestuar në Vlorë, gjykata e Bolognias në Itali kishte caktuar “arrest me burg” nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Për finalizimin me sukese të këtij operacioni anti-drogë ka bashkëpunuar Departamenti i Policisë Kriminale, DPPSh, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Zyra e Interforcës Italiane në Shqipëri.
Operacioni anti-drogë i iniciuar nga Policia italiane, është zhvillua njëkohësisht në Shqipëri, Itali dhe Gjermani.
Nga pamjet e publikuara nga policia italiane duke se kokaina mbahej në mikrovalë, ndërsa tufa me para janë sekuestruar.
Sipas mediave italiane, banda përbëhej nga shqiptarë, të cilët importonin çdo javë disa kilogramë drogë mes Gjermanisë dhe Italisë dhe ua besonin bashkëkombasve të tyre. Gjithashtu, kanë furnizuar edhe sasi të konsiderueshme marijuane. Gjatë operacionit u sekuestruan 26.5 kg kokainë dhe 11 kg marijuanë.
Arrestimet u bënë të mundura falë monitorimit të personave të dyshimtë, korrierëve që po udhëtonin vajtje-ardhje mes Italisë dhe Gjermanisë. Hetimet u kryen në bashkëpunim me Shërbimin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Tiranë të Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale, Departamentit të Policisë Kriminale (Drejtoria Hetimore CO dhe Fast Albania) dhe Zyrën Qendrore Kombëtare të Interpolit të Tiranës.