
Një efektiv i Gardës së Republikës është vetëplagosur me armën e shërbimit dhe ka shkuar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës, në Tiranë, shkruan newsbomb.al. 28 vjeçari nuk ka njoftuar ambulancën, por ka shkuar vetë në spital.
Është e paqartë se kur ka ndodhur ngjarja, pasi Garda e Republikës nuk ka raportuar për asnjë të shtënë brenda institucionit dhe në vendet ku qëndrojnë gardistët.
Sipas komunikatës zyrtare të Policisë së Tiranës, efektivi është paraqitur rreth orës 18.00 në SUT për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas deklarimeve të para, 28 vjeçari me inicialet F.S ka thënë se arma e shërbimit ka bërë shkrepje të pavullnetshme.
Megjithatë, kjo nuk i ka bindur oficerët të cilët kanë vënë në dijeni dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.
"Më datë 24.05.2024, rreth orës 18:00, është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në SUT, shtetasi F. S., 28 vjeç, punonjës pranë Gardës së Republikës, i cili dyshohet se është vetëplagosur me armën e shërbimit.
Në lidhje me rastin është njoftuar AMP, dhe në bashkëpunim me grupin hetimor po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Newsbomb.al mëson se efektivi i Gardës së Republikës shërbente si trup shoqërimi pranë kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Nuk dihet nëse në momentin e ngjarjes ai ka qenë në detyrë, apo e kishte mbyllur turnin e shërbimit.