
Një sasi e konsiderueshme kokaine është gjetur nga Policia në Portin e Durrësit. Një furgon që bënte linjën Shqipëri-Angli është futur në skaner pas dyshimeve se mund të kishte sende të paligjshme, kur në të është zbuluar një fund i dyfishtë i modifikuar.
Nga kontrolli, nën sediljen e shoferit në një hapësirë të modifikuar janë gjetur 7 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Në pranga ka rënë shoferi dhe një person tjetër, që rezulton të jetë kushëriri i tij, djali i tezes.
40 vjeçari Arjan Doçi dhe 39 vjeçari Mentor Çuni, janë dy shtetasit me origjinë nga Tropoja që janë arrestuar në kushtet e flagrancës nga Policia Kufitare në port, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë.

Furgoni ku u gjet kokaina i përket kompanisë “Bledi Trans”, e cila merret me sjelljen dhe dërgimin e pakove me porosi për shqiptarët që jetojnë Britaninë e Madhe dhe anasjelltas.
Dyshimet e oficerëve të kufirit kanë bërë që furgoni që shikoni dhe në foto, të futet në skaner për kontroll të imtësishëm të karrocerisë dhe nga verifikimi ka dalë se hapësirë me njollë në pjesën e sediljes së shoferit. Menjëherë është bërë kontroll dhe fizikisht dhe është gjetur kokaina.
Policia e Shtetit deri tani nuk ka dalë me njoftim zyrtar për sasinë e kapur të drogës, por besohet se ajo është rreth 7 kilogramë, pasi zakonisht pesha e një "buke", siç i quajnë trafikantët pakot me kokainë, është 1 kilogram.

Newsbomb.al mëson se nisjet për në Angli bëheshin nga Kamza dhe pas dy ditësh, furgoni në kthehej për në Shqipëri, nga "Brent Cross shopping center" në Londër. Kompania vepronte prej të paktën katër vitesh dhe është e regjistruar në shtetin anglez.
Nisjet e radhës dhe të fundit të "Bledi Trans" kanë qenë më datë 17 Maj nga Shqipëria në Angli dhe dy ditë më pas, në datë 19 Maj nga Anglia në Shqipëri. Pas katër ditësh, furgoni do të nisej sërish mbrëmjen e djeshme për në Britaninë e Madhe, por skaneri në Portin e Durrësit ka zbuluar ngarkesën me drogë.
© Newsbomb.al