
Opozita dhe partitët e vogla akuzojnë Prokurorinë e Posaçme se duhet të kishte ndërhyrë në Durrës që para zgjedhjeve të 11 Majit, në mënyrë që qytetarët të votonin të lirë dhe të mos ndikoheshin nga “çunat me të zeza” që qëndronin jashtë qendrave të votimit.
Gazetari dhe kandidati i “Shqipëria Bëhet”, Ferdinand Dervishi ka publikuar një fotografi të shkrepur në Durrës në ditën e votimeve dhe thotë se është mister fakti se përse kreu i grupit kriminal nuk u godit më parë.
“Pas 3 vitesh pa asnjë goditje të trafikut të kokainës në Portin e Durrësit, golin vijnë na e bējnë amerikanët dhe italianët. Mister mbetet përse goditja e kreut të bandës së përbashkuar të Durrësit u bë pas zgjedhjeve.
Të ishte bërë para zgjedhjeve, banorët e durrësit të paktën do kishin votuar qetësisht. Nuk do "monitoroheshin" nga afër nga çunat e mirë me bluza të zeza”, shkruan Dervishi, teksa ndan fotografinë e mëposhtme.
Ndërkohë, edhe mediat pranë Partisë Demokratike kanë publikuar një dokument zyrtar nga dosja e Prokurorisë së Posaçme me Prokurorinë Publike të Barit, sipas të cilit rezulton se emrat janë shënuar në regjistrin e masave që më datë 21 Shkurt 2025.
Pra, rreth tre muaj para zgjedhjeve, por operacioni është kryer vetëm mbrëmjen e djeshme dhe ka vazhduar dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm. Dokumenti që tregon se regjistrimi i emrave të personave të akuzuar në regjistrin e masave është kryer në Gjykatën e Barit në muajin Shkurt.
Në Durrës, rezulton se urdhërarrest është firmosur dhe për shtetasin Elvis Doçi, i njohur gjerësisht si Visi i Pojës. Ai konsiderohet si një nga anëtarët e lartë të perandorisë së Troplinëve të Durrësit dhe disa herë ka qenë në shënjestrën e SPAK. Opozita e ka akuzuar vazhdimisht se është palë me pushtetin.
