Personi që shihni në foto është 50-vjeçari, Alfred Dedja i cili mbeti viktimë pasditen e kësaj të diele pasi u qëllua me armë zjarri nga 27-vjeçari, Julian Gjoshi.
E gjithë ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 në një lokal në zonën e Ndroqit ku viktima ishte duke konsumuar një drekë me disa miq të tij.
Në atë moment në ambientet e lokalit u fut edhe i riu Julian Gjoshi, i cili rezulton të ketë qenë mik me 50-vjeçarin. Në momentin që e pa ky i fundit u ngrit nga tavolina dhe shkoi ta përqafojë, mirëpo 27-vjeçari nxori armën dhe pa i thënë asnjë fjalë filloi ta qëllonte.
Pas të shtënave ai u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij “Benz ML”, ngjyrë të zezë, ndërkohë Alfred Dedja si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Julian Gjoshi është kunati i Altin Hajrit, i cili rezulton në kërkim nga policia prej 4 vitesh për përfshirjen në zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020. Ndërsa, viktima vite më parë ka qenë menaxher tek “Golden Resort”, i cili është në pronësi të Altin Hajrit.
Grupi hetimor po punon për të konfirmuar edhe një pistë zyrtare për ngjarjen, teksa dyshohet se shkak për këtë ngjarje është bërë prishja e pazareve të drogës.